Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero pas një pyetjeje të bërë nga gazetarët shqiptarë mbi paketën anti-shpifje, deklaroi se Komisioni Evropian i konsideron shqetësimet e ngritura si të vlefshme, duke kërkuar rishqyrtimin e saj.
“Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Evropës në lidhje me ligjin e medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe për ne ato duhen adresuar. Fakti që presidenti i Shqipërisë e ka kthyer ligjin në Parlament, përbën një shans për t’i pranuar rekomandimet. Ne shpresojmë se kjo të realizohet”, tha Pisonero.
Ndryshe nga pretendimet e ngritura prej mazhorancës, kthimi i paketës në parlament nga ana e presidentit, po konsiderohet si një mundësi reflektimi nga ana e shoqatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe nga vetë Komisioni Evropian.
Në mos-dekretimin e ligjit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e konsideron si antikushtetuese paketën ligjore dhe se bie ndesh me parimet e kushtetutës mbi lirinë e medias.
“Absolutisht që ne e mbështesim vetërregullimin. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Evropës jo vetëm për nxitjen e vetëregullimit. Ne gjithashtu mbështesim rekomandimin që rregullimi të kufizohet vetëm në shërbimet e mediave audiovizive online, ne gjithashtu mbështesim trajtimin e pavarur gjyqësor të ankesave në lidhje me mediat dhe forcimin e transparencës për pronësinë e mediave në vend. Pra, në përgjithësi ne mbështesim të gjitha rekomandimet e parashtruara nga Këshilli i Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, me atë që duhet ndjekë një vend kandidat”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian.
Ndërkohë që kthimi i ligjit është përshëndetur ditë më parë dhe nga Reporterët pa Kufij dhe organizatat vendase dhe ndërkombëtare të mediave dhe gazetarëve.
Burimi i fotos:Spiked