Studimi: Një në dy shqiptarë mendon se politikanët “janë të pangopur”
Një studim i realizuar me 1080 banorë të Tiranës dhe 100 profesionistë të medias hedh dritë mbi perceptimin e qytetarëve dhe gazetarëve për nivelet e korrupsionit në politikë dhe media. 90% e qytetarëve të pyetur mendojnë se korrupsioni tek politikanët shqiptarë është shumë i përhapur.
Studimi i realizuar nga dy profesorë të Universitetit të Tiranës, Prof. asoc. Mark Marku dhe Dr. Blendi Çeka, financuar nga fondacioni gjerman Konrad Adenauer analizon nivelin e besimit të qytetarëve tek politikanët, institucionet publike dhe liria e medias.
Cila është, sipas qytetarëve, arsyeja që politikanët janë të korruptuar?
90% e të intervistuarve mendojnë se politikanët shqiptarë janë të korruptuar, të pyetur për arsyet pse mendojnë kështu, 54.97% e tyre janë përgjigjur se “ata janë të pangopur”. Ndërkohë që 19.52% e tyre identifikojnë si arsye “kulturën shqiptare”. 9.02% e tyre raportojnë si arsye “çdo kush në pozicionin e tyre do të bënte të njëjtën gjë”. Ndërsa arsyet “kanë nevojë për para për të paguar fushatat zgjedhore” dhe “kanë nevojë për para për t’u kujdesur për familjet e tyre” janë përzgjedhur nga 9.2% e të anketuarve”
Qytetarët besojnë se media është institucioni më i besueshëm në luftën kundër korrupsionit
Në një shkallë vlerësimi nga 1 tek 10 në lidhje me besimin ndaj institucioneve në luftën ndaj korrupsionit (ku 1 nënkupton pak besim dhe 10 shumë besim), qytetarët kanë renditur më poshtë parlamentin, partitë politike dhe gjykatat me vlerësime mesatare përkatësisht 2.34, 2.41, 2.89. Më të besueshme duket se janë mediat dhe qytetarët vetë(denoncimet e tyre).
Një nga autorët e studimit, Prof. Mark Marku tha për Zërin e Amerikës se besimi i lartë qytetarëve te mediat është për t’u vlerësuar, sepse qytetarët e dinë mirë dhe e shprehin në anketë se gazetarët janë nën presione të mëdha.
Kërcënimet ndaj gazetarisë
Ndërkohë të pyetur se cili është kërcënimi më i madh që i bëhet punës së gazetarëve, 33.67% e qytetarëve të anketuar identifikojnë “presionin politik”, 29.52% e tyre “presionin e grupeve të korruptuara dhe kriminale”, ndërkohë 20.66% e qytetarëve të anketuar identifikojnë “presionin e pronarëve të medias” dhe 14.02% “ndërhyrjen e qeverisë”.
Sipas qytetarëve të Bashkisë Tiranë, gazetarët nuk janë të mbrojtur nga sulmet, kërcënimet apo pushimet nga puna. Rreth 80% e të anketuarve mendojnë që gazetarët janë rrallë ose asnjëherë të mbrojtur nga këto sulme. Po ashtu 75% e qytetarëve mendojnë se ka vetëm shumë pak raste ku gazetarët vetë janë të përfshirë në çështje korruptive. Ndërkohë që 22% e tyre përgjigjen se gazetarët janë të përfshirë në çështje korruptive.
/l.k./