Freedom House: Për të 11-in vit me radhë shënohet rënie në lirinë globale
Në raportin e fundit të lirisë në botë nga Freedom House thuhet se forcat populiste dhe nacionaliste kanë arritur përfitime të rëndësishme në shtetet demokratike gjatë vitit te fundit. 2016-ta shënon vitin e 11 radhazi për rënien e nivelit të lirisë në botë.
Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten në listën e vendeve “pjesërisht të lira”, së bashku me Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Kroacia dhe Serbia nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vlerësohen si vende “të lira”.
Nga 195 shtete të monitoruara, 87 vende konsiderohen të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 49 jo të lira. Njëri prej shkelësve më të mëdhenj në vitin 2016 ishte Rusia, vlerëson Freedom House.
“Rusia, në paraqitjen e jashtëzakonshme të arrogancës dhe armiqësisë, ka ndërhyrë në proceset politike në Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera, e ka përshkallëzuar mbështetjen e saj ushtarake për pushtetin diktatorial të Bashar al-Assadit në Siri dhe e ka forcuar okupimin e saj ilegal në territorin e Ukrainës”, thotë raporti.
Sa i përket Ballkanit, raporti vlerëson se proceset korrekte zgjedhore dhe sundimi i ligjit janë përkeqësuar edhe më tutje, madje thuhet se Bashkimi Evropian e ka neglizhuar rolin e vet në promovimin e demokracisë në mesin e shteteve që synojnë pranim.
Disa nga gjetjet interesante të raportit për 2016 janë:
- Rajoni me performancën më të keqe është Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme, ku rreth 83% e popullsisë jetojnë në vende “jo të lira”. Pasohet nga EuroAsia.
- Shtetet që kanë pësuar rëniet më të mëdha të 10 viteve të fundit, janë Turqia, Republika Qendrore Afrikane (CAR), dhe Gambia. Rënia e Turqisë ka përshpejtuar në vitet e fundit, ndërsa CAR-ende po shërohet nga një luftë civile dhe grushtit të shtetit,ndërsa Gambia për shkak të vuajtjes gjatë nën tutelën e një presidenti autoritar.
- Mongolia dhe India, edhe pse nga një rajon me probleme, renditet në listën e vendeve “të lira”.
- Disa prej vendeve që kanë përjetuar përmirësime të mëdha gjatë 2016 janë Kolumbia, Polonia, Etiopia, Mozambiku
- Spanja, Danimarka dhe USA, kanë një karakteristikë të përbashkët – të treja kanë përjetuar dështime në fushat e të drejtave politike dhe të drejtave civile.
Në raport argumentohet se demokracitë madhore “janë të zhytura në ankth dhe pavendosmëri, pas zhvillimeve si dalja e Britanisë nga BE-ja” dhe “përfitimet nga partitë ksenofobike nacionaliste gjetkë në Evropë, si dhe fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara”.