Imazhi i dëshpërimit
Në foto (jo kjo foto) ai duket sikur fle, përmbys me kokën në një anë dhe prapanicën paksa ngritur, ashtu siç u pëlqen të flenë fëmijëve kur janë të vegjël. Është fotografia e një refugjati të vogël nga Siria, trupi i pajetë i të cilit është nxjerrë nga deti në një plazh të Bodrumit në Turqi, pas një përpjekje të dështuar për të lundruar drejt ishullit Kos, jo larg nga brigjet turke. Imazhi tragjik i fëmijës së mbytur është përhapur shpejt dhe komentuar shumë në rrjetet sociale, duke shënuar një pikë dramatike në krizën humanitare më të madhe në dekada. Aktivistë, politkanë dhe zëra të tjerë të opinionit thonë se imazhi i fëmijës së mbytur duhet parë. “Nëse këto imazhe të forta të një fëmije sirian të vdekur në një plazh nuk ndryshojnë qëndrimin e Europës karshi refugjatëve, çfarë do ta ndryshonte?” pyet në Twitter David Miliband.
Detajet që sapo janë bërë të njohura tregojnë se fëmija ishte një kurd nga Kobana, në veri të Sirisë, qyteti i sulmuar ashpër nga ISIS, që ka rezistuar trimërisht. Dy djemtë e vegjël kurdë, Galip dhe Ailan 5 dhe 3 vjeç u mbytën bashkë më nënën e tyre Rehanën kur varka e tyre u përmbys. Babai i djemve, Abdullai arriti të shpëtojë. Ai thotë se tani do vetëm të kthehet në Kobanë për të varrosur djemtë dhe gruan, e të varroset bashkë me ta. Familja kurde ishte përpjekur dëshpërimisht të emigronte në Kanada. Kërkesa e tyre ishte refuzuar.
“Nëse je në Kairo dhe merr një linjë “low cost” për kudo në Europë, mund të udhëtosh për 40 apo 50 Euro. Këta njerëz janë të detyruar të marrin varka, paguajnë 4.000 apo 5,000 Euro dhe vdesin në rrethana dëshpëruese. Ne duhet të kemi një zgjidhje koherente për problemin, dhe vetëm e gjithë Europa, e bashkuar në solidaritet mund ta japë përgjigjen.” – thotë Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Antonio Guterres. Mbi 2600 njerëz janë mbytur duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun vetëm këtë vit. “Një lum” refugajtësh e kanë quajtur mediat karvanin e refugjatëve që hyjnë çdo ditë (mbi 3000 në ditë) në Maqedoni, të gjithë duke ecur përmes Ballkanit, drejt Bashkimit Europian.
Në Europë politika dhe opinioni publik janë të ndarë në mes. Në njërën anë ata që apelojnë për pranim dhe solidaritet, ndërsa në tjetrën ata që nuk duan refugjatë në vendet e tyre. Ndërkohë në Bashkimin Europian vazhdojnë të diskutojnë mbi një plan të mundshëm, i cili pritet të prezantohet pas dy javësh, ndërsa Hungaria vijon të ndërtojë gardhin dhe të mos lejojë udhëtimin e refugjatëve drejt vendeve të tjera të Bashkimit pa kryer regjistrimin sipas rregullave.
Marrëveshja e Dublinit thotë se refugjatët duhen regjistruar në vendin e parë ku hyjnë, ç’ka ka shkaktuar dyndje dhe kushte tepër të vështira në kampet. MInistri i brendshëm italian Alfano ka kritikuar traktatet europine si bashkëfajtorë të këtyre tragjedive, ndërsa homologu i tij gjerman, Thomas ka bërë thirrje për reformë kushtetuese për të menaxhar krizën e refugjatëve. Mbi 350.000 njerëz kanë hyrë deri tani këtë vit në BE, për t’i ikur luftës, konflikteve të armatosura dhe varfërisë.
Fotoja e fëmijës së voglël kurd që arratisej nga lufta në Siri ka shkaktuar një reagim të paimagjinueshëm dhimbjeje dhe simpatie, që nuk do të ndryshonin kushedi çfarë pa zemërimin. Por ka dhe shumë zemërim të shprehur online, i drejtuar më së shumti ndaj Bashkimit Europian që po e trajton këtë krizë që i ra në prehër me ngathtësi dhe pedantizëm. Imazhi i Europës së vlerave zbehet dhe cifloset edhe në sytë e qytetarëve të BE-së që po bëjnë thirrje me zë më të fortë se më parë për të çelur portat për refugjatët dhe një përpjekje të vërtetë për ndaljen e luftës në Siri.
/Peshkupauje.com