Në Parlament diskutohet ligji për mbetjet, aktivistët vazhdojnë protestën
Ka nisur përpara Parlamentit protesta e dytë qytetare kundër importit të plehrave për ditën e sotme. Pas tubimit të organizuar sot në orën 10:00, ku protestuesit tentuan të fusin një kosh mbeturinash në godinën ku diskutohej ligji për importin e mbetjeve, ata janë mbledhur sërish në orën 17:30, kohë kur në parlament priten të votohen ndryshimet ligjore.
“Aleanca Kundër Importit të Plehrave deklaron se lejimi i importit të plehrave që pritet të shqyrtohet sot në Kuvendin e Shqipërisë është një akt tradhtie ndaj interesave të popullit shqiptar, një pabesi politike ndaj votuesve dhe një akt që synon ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash të Europës” thuhet në njoftimin për shtyp të Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

Aktivistët ironizojnë parlamentin me këtë ilustrim fotografik/ Foto: Avni Delvina
“Shqipëria nuk ka vendgrumbullime dhe landfille për trajtimin e mbetjeve të vendit. Nuk rritet zhvillimi ekonomik me hapjen e vendeve të punës me plehrat. Pasojat janë të mëdha, do të ndikojë te shëndeti i njerëzve dhe turizmi. Shoqatat e biznesit duhet të ushtrojnë presion për ndalur mbetjet, ne kemi tonelata plehra, ndërsa po lejojmë që të futem edhe të tjera nga jashtë. Duam një shoqëri të pastër, jo plehrave. Është e pafalshme dhe e patolerueshme që ligji të kalojë sot në parlament. Ne importojmë plehra nga shumë shtete të botës” ka thënë një nga protestuesit.
Ndërkohë që në parlament vazhdojnë replikat dhe debati i zakonshëm pozitë – opozitë, protestuesit e mbledhur jashtë u bëjnë thirrje deputetëve të mos e votojnë këtë ligj që sipas tyre nuk jep garanci për ndalimin e mbetjeve të rrezikshme në dogana.
“Në Shqipëri do të vijnë çdo lloj mbetjesh, ka një term mbetje jo të rrezikshme, por edhe këto mbetje kur kalojnë në proces përpunimi, riciklimi, larje, pastrimi, djegie atëherë këto kthehen në të rrezikshme, qoftë për ndotjen e ajrit edhe për atë të lumenjve. Si ka mundësi që ne, në situatën kur nuk menaxhojmë dot mbetjet tona, të importojmë mbetje nga vendet e tjera?”,ka thënë aktivisti mjedisor Lavdosh Feruni gjatë protestës.
Shoqëria Civile dhe ambientalistët kanë deklaruar se nëse ligji kalon, do e vazhdojnë protestën përpara Presidencës për t’i kërkuar kreut të shtetit të mos e dekretojë ligjin, e nëse kjo ndodh, paralajmërojnë nisjen e mbledhjes së firmave për referendum.
/l.k./