“Për popullin, me popullin”
Kohët e fundit, idetë inovatore të bareve e restoranteve në Tiranë, nuk kanë munguar. Siç është dhe “Komiteti”, lokali muze më i ri në kryeqytet. Arbër Çepani, ka mbledhur në një ambient të vetëm, copëza të ndryshme të historisë sonë.
Periudha historike të ndryshme shqiptare, vijnë si një koleksion që Arbri ka mundur të mbledhë ndër vite. Çdo gjë e menduar deri në detaj, e thurrur me kujdes që nga veshja partizane e kamarierëve, dizenjimi i ‘nevojtores’ se tualet nuk ka, deri tek kodi i wirelessit me një thirrje të hershme “Për popullin me popullin” shkruan faqja Shqipress e cila ka publikuar një intervistë me Arbrin.
Ideja ka lindur nga dëshira për të koleksionuar objekte, tërheqja nga historia shqiptare, ndjenja e patriotizmit për vendin si dhe dëshira për të sjellë diçka ndryshe.
“Komiteti” ka dashur plot dy vite intensive për tu realizuar. Çepani thotë se gjetja e objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare nuk ka qenë aspak e lehtë. Është dashur të shkojë fshat më fshat , qytet më qytet , shtëpi pensionistësh, koleksionistë, tregje, pazare, kudo.
Nëse doni të ktheheni vite mbrapa dhe të kujtoni televizorët, radiot e vjetra, qelqurinat, kolltuqet dhe karriget e fëmijërisë apo edhe nëse doni ta njihni këtë pjesë të Shqipërisë, atëherë ky lokal muze është një mundësi e mirë.
“Është për të dyja palët, të huajt shohin një Shqipëri që nuk e kanë parë ndonjëherë, në sensin që shohin një Shqipëri qe paska prodhuar qelqurina,paska prodhuar porcelanin, radio, televizorë, ka një prodhimtari të lartë artistike. Ndërsa shqiptarët, sidomos të rinjtë shqiptarë që nuk e kanë përjetuar si kohë, të shohin një Shqipëri që vetëm e kanë dëgjuar, të shohin në një farë mënyre se si kanë jetuar baballarët dhe nënat e tyre, si gatuanin gjyshet nëpër tybeqe. Të shohin një pjesë të kulturës së tyre kronologjike”.