Protesta e tregtarëve: “Po formalizimit, Jo falimentimit”
Qindra tregtarë nga disa qytete të vendit, kanë mbyllur bizneset e tyre dhe kanë protestuar sot përpara Kryeministrisë. Kjo është protesta e dytë e tregtarëve, të cilët kundërshtojnë ligjin e ri për tatimet.
Në njoftimin e bërë për protestën “Po Formalizimit, Jo Falimentimit”, ata akuzojnë qeverinë se “paratë që i mungojnë arkës së shtetit nuk janë në xhepat tanë, janë në xhepat e atyre që zotërojnë monopolet”. Gjithashtu thonë se qeveria po ushtron dhunë ndaj tregtarëve me gjobat marramendëse që parashikon ligji i ri.
“Më shpesh po na vizitojnë tatimorët se sa klientët. Ligji i Procedurave Tatimore që ka hyrë në fuqi, parashikon gjoba maramendëse. Gjoba falimentuese, të cilat i lihen në dorë inpektorëve militantë”, shkruhet në njoftim.
Ligji i ri parashikon rritje të gjobave dhe burgosje të tregtarëve në rast të shkeljeve. Tregtarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë për ndryshimet në pikat:
- Për mos lëshimin e kuponit tatimor
- Për punëtorë të pasiguruar
- Mos afishim i tabelës “Ju lutemi tërhiqni kuponin tatimor”
- Mos afishim i tabelës “Klienti ka të drejtë të mos paguaj nqs nuk i jepet kuponi tatimor”
- Mos afishim i listës së çmimeve
- Mos deklarim i vendit ku ruhen mallrat
- Mos deklarimi real i pagës së puntorit
/m.g