Tiranë: Protesta kundër “arrogancës, dhunës dhe konçesioneve”
Disa qindra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile marshuan sot në protestën e paralajmëruar kundër “arrogancës, dhunës dhe konçesioneve”. Marshimi i nxitur nga arrestimet e banorëve të Kukësit që morën pjesë në protestën kundër taksës së rrugës Milot – Morinë, u shoqërua me pankarta ku shkruhej “Më arresto edhe mua”.
“Kur qytetarët me të drejtë reagojnë, si në Kalimash, duke refuzuar këtë politikë ata përballen me gjuhën e arrogancës dhe dhunën policore. KJO DUHET TË MARRË FUND!”, shkruhej në njoftimin e protestës.
Video protesta në Tiranë kundër “arrogancës, dhunës dhe konçesioneve”/ Historia Ime
Në shenjë proteste ndaj trahut të vendosur në rrugën e Kombit, protestuesit improvizuan një tra përpara hyrjes së Kryeministrisë me mbishkrimin “dalja falas”, si dhe mbanin në duar pankarta me “5 euro”.
Të shumtë ishin edhe qytetarët që ndanë mesazhet e tyre gjatë protestës. Aktivistë, emigrantë, artistë, banorë të Kukësit, Hasit, Vlorës Fierit e shumë qytete të tjera, i bënë thirrje qeverisë të respektojë qytetarët.
“Ashtu siç u çuan kuksianët kundër padrejtësisë që i vure rrugës të cohen nesër edhe naftëtarët dhe të shporrin ata që ua dhe me koncesion dhe abuzuan. Çdo të bësh do i arrestosh edhe ata?… Po nëse nesër do të çohen banorët e Bulqizës, e të zbojnë ata që u dhe me koncesion për një capë bukë minierat, do i arrestosh edhe ata?.. Sot të mendosh ndryshe të arrestojnë, të linçojnë, të thonë tutor, vandal, nuk jemi dakord zoti kryeministër”.
Foto nga protesta/ Historia Ime
“Mos pi një kafe të paguash biletën e autobusit, mos pi një kafe paguaj çmimin e rritur të ujit dhe të energjisë, mos pi një kafe paguaj, taksën e qarkullimit, taksën e tabelës. Një kafe po mos ta pijmë, t’i japim lekët shtetit për akcizën e gazit. Po pse, sa kafe pijmë ne? Nuk janë lekë kafeje këto, janë lekë buke”, tha ekonomisti Pano Soko gjatë protestës.
Qëndrim u mbajt edhe ndaj mediave që nuk i transmetojnë protestat dhe qëndrimet e qytetarëve. “Mesazhin e parë e kam për ato media që sjellin kamerat këtu në shesh, ndërkohë që tani po transmetojnë telenovela turke”, tha aktivisti Besjan Pesha. Ai bëri thirrje për bojkotim të mediave që nuk paraqesin zërin e qytetarëve.