Vullnetarët janë dashuri në lëvizje
Vullnetarizmi është një fenomen global që kapërcen kufijtë, fetë dhe ndarjet kulturore. Me vullnetarizmin ne bashkojmë kombet, ndryshojmë jetën dhe fuqizojmë vendin tonë. Vullnetarët mishërojnë vlerat themelore të angazhimit qytetar, gjithëpërfshirjen dhe ndjenjën e solidaritetit. Vullnetarizmi nxit kreativitetin, fuqinë nga pasionet tona dhe na lidh me ata të cilët kanë nevojë më së shumti për ne.
Më 5 dhjetor, është Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, ku jo vetëm festohet vullnetarizmit në të gjitha aspektet e saj – por në të gjithë Botën bëhen nderime të veçanta për vullnetarët që kontribuojnë në komunitet. Por kjo ditë shërben edhe për të ndërmarr një sërë aksionesh për pastrimin e lagjeve të ndryshme, mbjellje pemësh, fushata për dhurimin e gjakut, mitingje, parade, panaire që promovojnë punën vullnetare, fushata për mbledhje fondesh, ekspozita dhe cermoni për nderimin e vullnetarve.
Brenda BE-së, janë ndërmarrë disa hapa në njohjen e vlerës sociale, kulturore dhe mjedisore të vullnetarizmit dhe në përfshirjen e organizatave vullnetare në proceset e vendimmarrjes politike.
Në aktivitet vullnetare janë përfshirë aktivisht miliona qytetarë të Evropës :
– Në Britaninë e Madhe, rreth 23 milionë qytetarë marrin pjesë në aktivitete vullnetare çdo vit, duke ofruar një forcë pune ekuivalente me 180,000 të punësuar me orar të plotë. Vlera ekonomike e vullnetarizmit zyrtar është rreth 8% i BPV-së së Britanisë së Madhe,
– Belgët i kushtojnë 5 orë në javë punës vullnetare pa pagesë, që është ekuivalent me rreth 200,000 të punësuar me orar të plotë,
– Në Francë, koha e kushtuar aktiviteteve vullnetare në vitin 2002 ishte ekuivalente me 716,000 të punësuar me orar të plotë,
– Në Poloni, më 2004, rreth 5.4 milionë qytetarë (18.3% i popullatës) kanë marrë pjesë në aktivitete vullnetare. Vlera e përafërt ekonomike e këtij kontributi vullnetar është 124 milionë euro,
– Në Gjermani, 23 milionë qytetarë (36% i popullatës) janë të përfshirë në aktivitete vullnetare,
– 33% e popullsisë së rritur irlandeze janë të angazhuar në punë vullnetare.
Shqipëria për afro 50 vjet të regjimit komunist e keqpërdori punën vullnetare si punë të detyruar. Ndaj dhe sot del shumë në pah mungesa e ndjenjës së vullnetarizmit tek qytetarët tanë në përgjithësi. Dhe kjo munges është bërë penguese për përmirësimin e jetës në komunitet. Por në vitet e fundit shihet një ndryshim në mentalitetin e njerzve, sidomos ky ndryshim është më i theksuar tek të rinjët lidhur me punën vullnetare.
Janë të shumta organizatat që punojnë me vullnetarët për përmisimin e jetesës në komunitet. Ne si lëvizje kemi realizuar një pafundësi aksionesh për të ndryshuar lagjjen, qytetin dhe vendin tonë. Por vullnetarët në vendin tonë nuk vlersohen ashtu siç ata e meritojnë. Mungesa për një kohë të gjatë e miratimit të ligjit të vullnetarizmit ka sjellur ndikim negativ në zhvillimi e vullnetarizmit në vetvete.
Vullnetarizmi është ushtrimi i fundit në demokraci. Ju votoni për zgjedhjet një herë në 4 vite, por kur jeni vullnetar, ju votoni çdo ditë në lidhje me llojin e komunitetit ku ju doni të jetoni.
Askush nuk mund të bëjë gjithçka, por të gjithë mund të bëjmë diçka.
/Ecovolis