Komiteti për Parandalimin e Torturës : Të burgosurit me probleme mendore në kushte çnjerëzore dhe degraduese
Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës (CPT) ka publikuar ditën e djeshme raportin për gjendjen e burgjeve dhe trajtimin e të burgosurve në to gjatë vizitës në Shqipëri në Shkurtin e vitit 2017, së bashku me përgjigjen e autoriteteve shqiptare.
CPT ka shprehur shqetësimin e saj serioz që, pavarësisht nga rekomandimet specifike të bëra në mënyrë të përsëritur që nga vizita e vitit 2000, pacientët psikiatrikë mjeko-ligjorë vazhdojnë të mbahen në burgun special Zaharia për të burgosurit e sëmurë në Krujë dhe Spitalin e Burgjeve në Tiranë nën kushte të cilat, konsiderohen çnjerëzore dhe degraduese.
Raporti tregon se kushtet e jetesës në të dyja institucionet janë përkeqësuar edhe më shumë që nga vizita e vitit 2014 (sidomos kushtet e gjendjes së riparimit dhe të mbipopullimit, me disa pacientë të detyruar të flenë në dysheme), mungesa pothuajse totale e ngrohjes dhe kufizimi i ujit të ngrohtë. Përveç kësaj, niveli i kujdesit psikiatrik mbetet qartësisht i pamjaftueshëm.
CPT u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të organizojnë sa më shpejt një plan të detajuar për krijimin e një institucioni mjeko-ligjor psikiatrik dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar instalimin sa më të shpejtë të një strukture të tillë.
Në përgjithësi, informacioni i mbledhur gjatë vizitës sugjeron se ka një trend pozitiv në krahasim me situatën e gjetur gjatëvizitës së mëparshme në vitin 2014. Megjithatë, disa persona pretenduan se ishin keqtrajtuar rëndë nga një oficer i policisë në stacionin policor të Durrësit . Pas një kërkese urgjente të bërë nga CPT, autoritetet shqiptare filluan hetime kriminale dhe disiplinore kundër punonjësit të policisë në fjalë.
CPT ka vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme të bëra nga autoritetet shqiptare për të përmirësuar kushtet materiale të paraburgimit në institucionet e policisë. Megjithatë ata theksojnë se kushtet kanë mbetur shumë të varfra në stacionet policore të Tiranës nr. 1 dhe 3 dhe në Stacionin Policor të Sarandës (qeli të rrënuara me akses të kufizuar ndaj dritës natyrale dhe probleme me ndriçimin artificial dhe ajrosjen).
Në përgjigjen e tyre ndaj raportit të vizitës, autoritetet shqiptare tregojnë se në pritje të ndërtimit të një institucioni mjeko-ligjor psikiatrik, të gjithë pacientët psikiatrikë do të transferohen në vitin 2018 nga Kruja dhe Spitali i Burgjeve në Tiranë në një institucion tjetër burgu si një zgjidhje e përkohshme.