Çertifikohen 29 të burgosura, Klosi: Dënimi i përket së shkuarës, profesioni që keni marrë, së ardhmes
29 femra të burgosura që vuajnë dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Vaqarr, kanë marrë çertifikatat profesionale për kurset që kanë ndjekur.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tha se është detyrë e institucioneve shtetërore t’i edukojnë personat që vuajnë dënime në burgje dhe t’i bëjnë ata të gatshëm për të qenë nesër sërish qytetarë të denjë të shoqërisë.
Kurset profesionale kryhen në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe synojnë t’iu japin individëve që vuajnë dënimet në IEVP, mundësinë që të marrin një profesion, i cili do t’u shërbejë në momentin që do mbarojnë dënimin. Falë këtij bashkëpunimi, kanë përfunduar kurset e formimit profesional deri në fund të muajit gusht 182 të burgosur, ndërkohë që gjatë ditës së sotme u certifikuan 5 grupe kursantësh dhe konkretisht një grup guide turistike, tri grupe sekretarie dhe një grup kujdestarie fëmijësh.
“Nëpërmjet trajtimit në këto qendra të formimit profesional, ne kemi arritur që disave prej jush t’u japim gjatë këtyre ditëve të dënimit një zanat më shumë, një eksperiencë më shumë të punës dhe për të qenë të gatshme për t’u riaktivizuarnë jetën tuaj të përgjithshme. Dënimi që ju keni marrë ka qenë i së shkuarës, ndërsa trajnimi që keni marrë në qendrat e formimit profesional është një gjë që i takon së ardhmes suaj”, – u shpreh ministri Klosi në fjalën e tij.
Më tej ai theksoi se angazhime të tilla i vijnë në ndihmë këtij grupi shoqëror për t’u dekriminalizuar dhe që nëpërmjet punës të ndjehen sërish pjesë e barabartë e shoqërisë. /M.G
Burimi: Gazeta Shqip