Falen kamatvonesat për familjet në nevojë dhe bizneset e vogla
Familjet në nevojë dhe bizneset e vogla që kanë lidhur akt marrëveshjet me OSHEE-në dhe i kanë qëndruar korrekt termave të akt marrëveshjes u zerohet kamatvonesa. Përfitues nga kjo falje do të jenë 22 mijë persona me statusin e përfituesit të ndihmës ekonomike të cilëve u hiqet barra e kamatvonesave përkundrejt një pagese prej 10 lekësh të reja, ose 100 lekë të vjetra.
Po kështu bizneseve të vogla u zerohet kamatvonesa përkundrejt një pagese prej 100 lekësh. Por me kushtin që këto subjekte të kenë respektuar korrektësisht aktmarrëveshjen e firmosur për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura
Për ta përfituar këtë ulje, konsumatorët duhet fillimisht të paraqiten pranë sportelit të OSHEE-së dhe të përditësojnë të dhënat e kontratës të furnizimit të energjisë elektrike. Më pas të kryhet pagesa e 10 lekëshit për të fshirë kamatvonesën dhe të bëhet ndryshimi i kontratës aktuale për vazhdimin normal të pagesës së detyrimeve të prapambetura me këste të barabarta 1 mijë lekë në muaj.
Sipas qeverisë, afati i përfitimit nga kjo masë lehtësuese është 31 janar 2016.
Edhe familjet që nuk kanë qenë korrekte, thuhet se do t’u jepet mundësia që deri në 30 qershor të vitit të ardhshëm të ndjekin shembullin e përfituesve të sotëm. Nëse këto familje do të paguajnë rregullisht deri më 30 qershor 2016 faturën mujore të konsumit të energjisë dhe këstin 1 mijë lekë të principalit të detyrimeve të prapambetura, atëherë dhe ata do të përfitojnë shlyerjen e kamatvonesave me vetë 10 lekë në muajin korrik
Përsa u përket familjeve që gëzojnë statusin e ndihmës ekonomike por ende nuk e kanë lidhur akt marrëveshjen për të shlyer detyrimet e prapambetura, do t’u u jepet një mundësi e re të përfitojnë me këst mujor 1200 lekë. Për të gjithë ata që do të zbatojnë rregullisht akt marrëveshjen e re deri në fund të vitit të ardhshëm, do u jepet mundësia e fshirjes së kamatvonesave me një pagesë të vetme, jo 10 lekë por 20 lekë. /m.g
Burimi: Monitor