FOTO/ Masakra urbane, si i pushtoi betoni qytetet këto 15 vite
Ali Podrimja ka shkruar vargun e madh “sikur të shiheshim me vetvehten sy më sy / a do ishim puth a kishim me u pshty”..
A nuk vlen kjo thënie për disa që ndryshe thonë dhe ndryshe bëjnë, por dhe për një shoqëri në errësirë apo dilemë? Le të shohim këto foto simbolike me diferencë 2002- 2015!
Deshëm të ndërtonim demokracinë, dhe çfarë bëmë: – ndërtuam betone, dhe nga betoni imponuam politikën.
A nuk janë liderët kryesorë politikë (që kemi aktualisht) produkte të politikës së betonit?
Shikoni Tiranën që ata qëverisën gjatë 15 viteve të fundit dhe ajo është dëshmi e saj.
Shikoni Vlorën, Durrësin dhe Sarandën, Shëngjinin dhe Velipojën, Pogradecin dhe Golemin!
Beton, beton, beton.
Dhe 21 prej tyre janë deputetë në parlament apo vendimmarrës ne poste me rëndësi!
Jo për faj të tyre, por për fajin tonë!
Sepse pasi na morën ëndrrat për demokraci, pasi na morën lulishte, pemë, hapësira e gjelbërimin, ajrin dhe shansin e jetesës normale, na morën edhe votat, edhe të drejtën e përfaqësimit.
Tani nuk i ndryshojmë dot më sepse janë së bashku, aty ku nuk duhet, tek vendi nga duhej të vinin ndryshimet!
Tani është koha, siç mallkonte Musine Kokalari, ku një kg llaç ka më shumë vlerë se 1 kg tru! Kohë për betonin jo për librat!
Shikoni këto pamje dhe mos harroni sa fyese dhe qesharake na duken deklaratat dje e ato sot se përmes projekteve të reja të betonit do fitojmë më shumë hapësira të gjelbërta!
Vendi i bunkerëve vetëm në bunker di të jetojë.
Këto foto janë një shenjë e dëshmisë për këtë, dëshmi për atë që ndodhi dje dhe që vijon të ndodhë edhe sot. Konsensualisht. Publikisht. Vazhdimisht. Fatkeqësisht. /l.k./
/Afrim Krasniqi, Facebook