Nga fantazitë e Altin Goxhajt tek faktet: Kush urren kë, dhe pse?

Në javët e fundit, një tjetër masakër e armatosur në Shtetet e Bashkuara ka hapur debat të madh publik. Një person i armatosur hyri në një shkollë të krishtere ku vrau dy fëmijë dhe plagosi 17 të tjerë, duke rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes problemin kronik të dhunës me armë në Amerikë. Ashtu si herët e tjera, diskutimi për shkaqet dhe përgjegjësitë është polarizuar: një pjesë fajësojnë ligjet e buta për armët, të tjerë problemet e shëndetit mendor, e të tjerë fajësojnë faktorë të tjerë shoqërorë. Këtë rast e ka shfrytëzuar edhe avokati Altin Goxhaj, i cili publikoi një status në rrjete sociale ku pretendon se autorët e masakrave të tilla janë shpesh persona transgjinorë dhe se mediat e fshehin këtë fakt “për të mos nxitur homofobi”. Ai shkon më tej duke folur për një “axhendë satanike LGBQ” duke e lidhur ngjarjen me zhvillime në Shqipëri, përfshirë procesin gjyqësor ndaj Dorina Memës.
Prandaj e shohim me vend që ta shqyrtojmë me vëmendje dhe korrektësi këtë status, pasi kemi vënë re se nuk është shumë “i saktë” dhe mund të ndikojë mendjet e të rinjve dhe atyre më pak të rinj.
Pretendimi 1: “Mediat prej vitesh po fshehin identitetin transgjinor të masakruesve në shkolla.”
Fakti: Sipas bazës së të dhënave të “The Violence Project dhe Mother Jones Mass Shooting Database” (të dyja ndër më të përdorurat për analiza akademike), në mbi 3,500 masakra me armë zjarri në SHBA në dekadën e fundit, vetëm 5 raste janë raportuar me autorë që identifikoheshin si transgjinorë. Mediat amerikane i kanë raportuar hapur këto identitete (p.sh. rasti i Nashville 2023, ku autori u identifikua si burrë transgjinor). Pra nuk ka fshehje, përkundrazi, identiteti gjinor i autorëve është theksuar në media shpesh edhe më shumë se faktorë të tjerë.
Pretendimi 2: “Psikologjia moderne nuk i lejon të kurohen, edhe kur shfaqin simptoma drejt çmendurisë vrasëse.”
Fakti: Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e konsideron gender dysphoria-n jo si “çmenduri vrasëse”, por si një gjendje që trajtohet me terapi psikologjike, mbështetje sociale, dhe në raste të caktuara, me ndërhyrje hormonale ose kirurgjikale. Nuk ka asnjë provë shkencore që personat trans kanë prirje më të lartë për të kryer krime të dhunshme. Përkundrazi, studimet tregojnë që ata janë shumë më shpesh viktima të dhunës dhe jo autorë.
Pretendimi 3: “Transgjinorët kanë prevalencë shumë të lartë drejt vetëvrasjes dhe vrasjes.”
Fakti: Kjo është gjysmë e vërtetë dhe e keqpërdorur. Është e vërtetë që personat transgjinorë kanë norma shumë më të larta të tentativave për vetëvrasje (40–50% kanë raportuar të paktën një tentativë). Por nuk ka asnjë lidhje statistikore me kryerjen e masakrave. Vetëvrasja lidhet me stigmatizimin, diskriminimin, bullizmin dhe mungesën e mbështetjes sociale, jo me “prirje për vrasje”.
Pretendimi 4: “Trump ua ka hequr privilegjet speciale transgjinorëve.”
Fakti: Tërësisht e gënjeshtërt. Trump gjatë mandatit të tij vendosi kufizime, p.sh. ndaloi personat transgjinorë nga shërbimi ushtarak, por nuk ka patur kurrë “kuota speciale punësimi”, “privilegje shëndetësore” apo “mbrojtje speciale ligjore” për personat transgjinorë që më pas tua hiqnin. Të drejtat ruhen nga ligje kundër diskriminimit që vlejnë për të gjithë qytetarët, jo privilegje ekstra.
Pretendimi 5: “Transgjinorizmi është ç’rregullim mendor që çon lehtësisht në vrasje fëmijësh.”
Fakti: E rreme dhe stigmatizuese pasi që nga viti 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka hequr “çrregullim I identitetit gjinor” nga lista e sëmundjeve mendore. Tani quhet “mospërputhje gjinore” dhe trajtohet si gjendje shëndetësore e lidhur me mirëqenien, jo me psikopatinë. Nuk ka asnjë provë që transgjinorët kanë probabilitet më të lartë për të vrarë fëmijë.
Pretendimi 6: “OJQ-të LGBT duan të transgjinorizojnë fëmijët shqiptarë.”
Fakti: Kjo është një narrativë konspirative. Asnjë organizatë LGBT në Shqipëri nuk ka programe që “transgjinorizojnë fëmijë.” Aktivitetet e tyre lidhen me edukimin kundër bullizmit, mbështetjen e të rinjve LGBT dhe ndihmën ligjore. Ky pretendim është pjesë e narrativës globale konspirative të importuar nga SHBA (“ideologjia gjinore”) dhe nuk ka bazë në realitetin shqiptar.
Pretendimi 7: “Ka një urrejtje masive të inkurajuar nga Axhenda LGBQ ndaj besimit të krishterë, besimtarëve të krishterë dhe sidomos fëmijëve që mësojnë besimin e krishterë!”
Fakti: Ky pretendim është një retorikë frikësuese, pasi përdor fëmijët dhe fenë për të krijuar imazhin e një armiku imagjinar. Realiteti është që nuk ka asnjë axhendë që nxit urrejtje ndaj të krishterëve. Ajo që ekziston është lufta për barazi dhe për t’u trajtuar me dinjitet, pa diskriminim, edhe brenda komuniteteve fetare. Nuk ka asnjë provë se komuniteti LGBTI+ shënjestron fëmijë që ndjekin mësime fetare. Përkundrazi, studimet tregojnë se fëmijët LGBTI+ ose ata që rriten në familje konservatore fetare, shpesh vuajnë më shumë bullizëm, depresion dhe vetëvrasje, pikërisht ngaqë nuk pranohet identiteti i tyre.
The Trevor Project, 2022 Survey: 45% e të rinjve LGBTI+ kanë menduar për vetëvrasje; shifrat janë më të larta tek ata me prindër konservatorë fetarë.
Faktet tregojnë se personat LGBTI+ janë shpesh viktima të dhunës së justifikuar në emër të fesë (p.sh. predikimet që i quajnë “mëkatarë” apo thirrje publike për t’i përjashtuar), siç ka ndodhur edhe në Shqipëri nga vetë ti Altin apo persona afër teje. Kjo vërtetohet lehtë. Mjafton të hapësh rrjetet e tua sociale. Dhe si përfundim, asnjë organizatë ndërkombëtare serioze (OKB, BE, Këshilli i Europës, Human Rights Watch, Amnesty International) nuk ka gjetur ndonjë “politikë” që synon të luftojë fenë e krishterë nga organizatat LGBT. Për më tepër, shumica dërrmuese e autorëve të masakrave me armë zjarri janë burra cisgjinorë, të bardhë, të rritur në familje tradicionale, shpesh me prirje neonaziste ose ideologji ekstremiste.
Pra, në 10 vitet e fundit në SHBA kanë ndodhur mbi 3,500 masakra me armë zjarri(Gun Violence Archive), nga këta vetëm 5 autorë janë njohur si transgjinorë (I bën dot llogaritë Altin?)Shumica absolute e autorëve janë meshkuj cisgjinorë të bardhë si Altin Goxhaj me shokë. Nga kjo del që ti je 99% më i predispozuar për të kryer vrasje se një person transgjinor Altin. Pretendimet e Altinit janë një kombinim i të dhënave të rreme, teorive konspirative dhe stigmatizimit. Faktet tregojnë qartë se rreziku nuk lidhet me identitetin gjinor, orientimin seksual por me aksesin masiv në armë dhe me faktorë socialë si bullizmi, ekstremizmi i dhunshëm, dhe problemet e shëndetit mendor që nuk trajtohen.
Edhe diçka të fundit. Të përdorësh dhimbjen e të tjerëve për të avancuar axhendën tënde, sepse kjo e jotja është AXHENDË Altin, është shumë e ulët dhe hipokrite./A.A