OJQ-të kërkojnë zbatimin e moratoriumit ndërsa gjahtarët mburren me pretë e tyre online
Fotot e gjahtarëve që mburen me vrasjen e kafshëve të egra në vende të ndryshme të Shqipërisë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale kohëve të fundit.
Ata nuk mund të jenë të painformuar se pretë e tyre janë të paligjshme, pasi çdo lloj gjuetie u ndalua në Shqipëri që prej vitit 2014.
Fotot e gjahtarëve me pretë e tyre në media sociale, kanë alarmuar grupet që punojnë për mbrojtjen e mjedisit, raporton BIRN.
Kujtim Mersini, kryetar i OJQ-së, për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, tha për BIRN se ndalimi i gjuetisë duhet të vazhdojë.

Foto denoncuese në faqen “Jeta osh qef” më 4 Janar 2016
“Institucionet në ngarkim duhet të rrisin ndërgjegjësimin për ndalimin e gjuetisë dhe t’i ndalojnë këta shkelës sepse ato krijesa së shpejti do të hyjnë në fazën e shumimit dhe humbjet [nga të shtënat] do të jenë më të mëdha,” tha ai.
Ai thotë se ndalimi ka ulur ndjeshëm nivelin e gjuetisë – por qartazi nuk e ka ndaluar plotësisht.
“Gjuetia ka vazhduar në zonat malore të Pukës, Mirditës, Librazhdit, Dibrës dhe Prespës. Faktet janë online dhe gjithashtu në baret dhe restorantet ku sheh së fundmi kafshë dhe arinj të balsamosur” tha ai.
Këshilltarja e medias në ministrinë e mjedisit, Ana Kekezi, tha se zyrtarët po ndjekin se nga ku janë shfaqur fotot online. Por tha se identifikimi i shkelësve është i vështirë.
Një rast i denoncuar në një faqe të rrjetit social “Facebook” pak kohë më parë, ngjalli reagimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë e cila identifikoi personat përgjegjës duke i sekuestruar pushkët dhe ndëshkuar me masë administrative 100 000 Lek.
Moratoriumi i gjuetisë ka merita për rigjallërimin e numrave të zogjve dhe kafshëve të rralla në malet dhe moçalishtet shqiptare.
Ministria e Mjedisit po peshon zgjatjen e moratoriumit me dy vite të tjera, që lidhjet mjedisore e mbështesin fuqishëm. /l.k./