Autori i sulmit tragjik në Zelandën e Re Brenton Tarrant ka publikuar një manifest në rrjetet social pak çaste përpara vrasjes së 50 besimtarëve myslimanë dhe plagosjes së dhjetërave të tjerëve. Në manifestin e tij prej 74 faqesh, ai flet për jetën dhe udhëtimet në Evropën lindore, historia e së cilës duket se ka përforcuar idetë e tij raciste që shkaktuan sulmin me pasoja tragjike.
Sipas të dhënave të publikuara prej vetë autorit dhe hetimeve që po ndërmerren në vende të ndryshme evropiane, rezulton se Tarrant në vitin 2016 ka vizituar Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Herzegovinën si dhe Kroacinë, ndërsa në vitin 2018 ka vizituar pika të ndryshme historike në Bullgari, Rumani dhe Hungari.
Autoritetet e vendeve evropiane po hetojnë mbi kontaktet e autorit në rajon, lidhjet që ai mund të ketë pasur dhe nëse ka gjetur ose jo mbështetës të ideologjisë së tij, që mund ta kenë shtyrë të ketë kryer sulmin në Christchurch. Në manifestin e tij ai dukej se e njihte mirë historinë e Ballkanit. Ai glorifikonte veprimet ushtarake kundër komuniteteve myslimane si në rastin e Bosnjes dhe Kosovës, admironte kriminelin serb të luftës Radovan Karadzic dhe njihte dhe historinë e vendit tonë, ku Skëndërbeun dhe Gjergj Arianitin i quan si vrasës të myslimanëve dhe figura prej të cilave frymëzohej, duke shkruar dhe emrat e tyre në armët që përdori për të kryer sulmin.
Tarrant ka vizituar disa herë dhe Turqinë, por sipas hetuesve detajet ende nuk po publikohen për shkak të hetimeve që po ndodhin në disa shtete./k.j