Sulmi i fundit në qytetin Christchurch të Zelandës së Re shkaktoi mbi 50 të vrarë, në tragjedinë më të rëndë të ndodhur në ishullin e largët gjatë dekadave të fundit.
Kryeministrja zelandeze Jacinda Ardern e konsideroi këtë sulm si një akt terrorist, i cili nga shumë analistë në botë po konsiderohet si pjesë e terrorizmit të të bardhëve apo terrorizmit të djathtë.
28 vjeçari Brenton Tarrant, një islamofob që frymëzohej nga teoritë raciste dhe konsideronte të bardhët si rracën superiore në tokë, mori jetën e 50 besimtarëve muslimanë gjatë orarit të faljes në dy xhami të qytetit dhe filmoi të gjithë skenën makabre duke e postuar dhe në rrjete sociale.
Menjëherë pas sulmit, ditën e nesërme qeveria e Zelandës së Re njoftoi ndalimin e përdorimit të armëve automatike për qytetarët dhe reformimin e ligjit të armëmbajtjes, duke bërë thirrje për solidaritet dhe mbështetje për komunitetin mysliman kudo në botë.
‘Terrorizmi i të bardhëve’ në rritje
Por Christchurch nuk është rasti i vetëm ku sulmet terroriste janë të nxitura prej ideologjive raciste.
Sulme të tilla duket të jenë një fenomen i dekadës së fundit, ku më i madhi dhe një nga të parët është sulmi terrorist në Oslo dhe në Ishullin Utoya në Norvegji në korrik te vitit 2011, kur Anders Brejvik, në përpjekje për të “çliruar” vendin e tij prej myslimanëve vrau 77 persona. Më shumë se gjysma prej tyre ishin adoleshentë, pjesëmarrës në një kamp rinor.
Të shpeshta janë dhe sulmet e supremacistëve të bardhë në Shtetet e Bashkuara. Në gusht të vitit 2012, gjashtë besimtarë të besimit aziatik sikh u vranë në një tempull në Uinskonsin. Në vitin 2013 sulmohet një shtëpi për të moshuarit hebre në Kansas ku vvdiqën 3 të moshuar, dhe një vit më vonë një kishë e besimtarëve afro-amerikanë në Karolinën e Veriut ku pati 9 të vdekur.
Sulmet e grupeve ekstremiste të djathta, që predikojnë teorinë e racave dhe se të bardhët janë racë superiore, janë drejtuar shpeshherë dhe ndaj politikanëve të majtë apo figurave publike që kanë dalë hapur kundër tyre. Në shtator 2013, në Greqi vritet Pavlos Fyssas, një këngëtar dhe aktivist anti-fashist, ndërkohë që në vitin 2016 vritet deputetja e parlamentit Britanik Jo Cox. Në të gjitha rastet e sipërpërmendura autorët e krimeve frymëzoheshin nga teoritë fashiste dhe në thelb kishin intolerancën ndaj shoqërisë diverse. Në Janar të 2017, 6 besimtarë myslimanë vriten në një xhami në Kebek të Kanadasë, ndërsa në muajt në vazhdim pati 3 sulme të tilla të ngjashme në SHBA.
Në muajin gusht 2017, në qytetin Çarlotsvill të Virxhinias në SHBA, pati demostrata të shumta kundër ekstremistëve të djathtë, ku në njërën prej tyre, në një përleshje mes protestuesve dhe grupeve ekstremiste, një grua gjeti vdekjen pasi u shtyp me makinë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Nëntori i vitit 2018 pati një tjetër bilanc tragjik ku gjatë një sulmi ndaj një sinagoge në Pitsburg, u vranë 11 besimtarë hebre.
Sulmi i Zelandës së Re është thjesht një sulm me bilanc shumë tragjik në vazhdën e një retorike gjithmonë e më në përhapje kundër emigrantëve, besimeve të ndryshme fetare dhe shoqërive diverse dhe shumëetnike. Teoritë e ekstremit të djathtë duket se po gjejnë gjithnjë e më shumë terren për tu përhapur dhe terrorizmi i të bardhëve pritet të jetë një nga rreziqet më të përhapura në vitet në vazhdim në vendet e botës perëndimore./k.j