Tmerret e fëmijëve refugjatë
Sipas Qeverisë Federale një e treta e të gjithë refugjatëve që vijnë në Gjermani, janë fëmijë dhe të rinj. Organizata për mbrojtjen e fëmijëve, si „Save the Children“, druhen se shumë fëmijëve u ështe dashur të kalojnë përvoja të tmerrshme dhe traumatizuese – por vetëm pak prej tyre do të flasin për to.
“Vuajtjet për të cilat dëgjojmë, janë të tmerrshme“, thotë psikologu Andreas Mattenschlager. Si drejtues i projektit për këshillimin psikologjik të familjeve dhe për jetën në Ulm, ai dhe ekipi i tij ofrojnë mbështetje psikoterapeutike për fëmijët e traumatizuar të refugjatëve dhe refugjatët minorenë të pashoqëruar.
Fëmijët e refugjatëve janë në radhë të parë fëmijë dhe, si të gjithë fëmijët, ata dëshirojnë të ndihen të sigurtë.
Një prej fëmijëve, Farah, 10 vjeçe, e cila është arratisur nga Siria së bashku me familjen e saj, thotë: “Në varkë kisha kaq shumë frikë. Kur ramë në ujë, unë kisha vëllanë tim të vogël në krah. Unë e mbaja atë në krahë dhe qaja. I lutesha Zotit që të shkoj në parajsë. Mendoja se do të vdisja. Vdekja ishte aq afër”.
“Gjatë arratisjes na u desh të qëndronim për pesë muaj në një kamp refugjatësh në Bullgari, atje ishte e tmerrshme. Rojet na rrihnin“, tregon Namir-i. Ai është 12 vjeç. Para se të arratisej, familja e tij kristiane jetonte në Damaskun sirian dhe përndiqej. Disa anëtarë të familjes madje u detyruan ta pranojnë fenë islame. „Gjatë rrugës për në Gjermani kemi ecur përmes një pylli të errët. Atje humba këpucët dhe nga këmbët, për shkak të degëve dhe ferrave, më rridhte gjak. Babait tim iu desh të na mbante në krahë, mua edhe motrën. Unë kisha uri dhe etje”.
“Gjatë arratisë, vëllai im u nda nga ne. Për tre ditë të tëra nuk e gjetëm dot. Ne kemi qarë pa pushim“, thotë Walid-i. „Vëllai im ishte i traumatizuar. Ai nuk flet kurrë për këtë. Kur pas tre ditësh më në fund e gjetëm, ai qante dhe qeshte njëkohësisht – ishte e papërshkrueshme. Nëse do të më kishte ndodhur mua, do të kishte qenë OK, por Nidal nuk është veçse një fëmijë“, tregon vëllai 17-vjeçar.
Terapeuti i familjes, sqaron se fëmijët e vegjël e përjetojnë ndjenjën e sigurisë jo në varësi të vendit ku ndodhen, por në lidhjen që ata kanë me prindërit. Gjatë punës së tij ai gjithashtu vë re se fëmijët e prekur vuajnë nën trysninë e lartë të pritshmërive të prindërve të tyre. “Ata kanë lënë pas gjithçka për t’iu mundësuar fëmijëve të vet një të ardhme më të mirë“, thotë Mattenschlager.
Përvojat e luftës, të robërisë dhe të torturës në atdhe si dhe arratia për muaj të tërë janë një barrë e rëndë për fëmijët. Edhe situata në kampet e refugjatëve, diskriminimi dhe izolimi e rrisin ngarkesën psikike. /m.g
Burimi: Deutsche Welle