Tre superheroinat që luftojnë për të drejtat e vajzave në Etiopi
Një serial për fëmijë revolucionar ka nisur të transmetohet në Etiopi. Seriali ka tre protagoniste në rolin e superheroinave të cilat luftojnë për të drejtat e vajzave. Emrat e tre superheroinave janë:” Power girl”, “Whiz kid girl” ,“Empathy girl”. Ato trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh që prekin vajzat në vendin e tyre si: tabuja rreth menstruacionit, mblesëria dhe martesa në djep, gjymtimi gjenital femëror, si edhe aksesi i vajzave në edukim.
Ky serial është krijuar nga një studio animacioni, e cila drejtohet nga një grua, Bruktawit Tigabu. Kjo e fundit shpreson se seriali do të sjellë diskutime midis fëmijëve dhe të rriturve për të sjellë një ndryshim në kulturë si edhe në mënyrën se si mentaliteti në Etiopi i sheh vajzat. “Shumica e diskutimeve nuk ndodhin në komunitete, shkolla apo në shtëpi. Ky serial është një mundësi për fëmijët që të thyejnë tabutë dhe t’i japë vajzave një formë argëtuese për të folur për tema serioze.’’
Diskriminimi gjinor dhe dhuna ndaj grave është një fenomen i hasur rëndom, i cili vjen nga mungesa e aksesit në edukim për vajza. Vetëm 38% e vajzave etiopiane të moshës 15- 24 vjeç janë alfabete. Statistikisht një në pesë vajza detyrohet të martohet përpara moshës 15 vjeçare. Tigabu shprehet se shumica e serialeve për fëmijë në Afrikë importohen nga perëndimi dhe këto të fundit nuk trajtojnë çështje kulturore ose sociale që prekin vajzat në Afrikë. ‘’Tibeb Girls’’ është emri i serialit të parë të animuar në Etiopi ku vajzat luajnë rolin kryesor dhe përshkruhen si superheroina: të forta, të aftësuara dhe me vetë-besim. Secila prej superheroinave ka një virtyt karakteristik:’’ Power girl’’ ka fuqi fizike mbinjerëzore, ‘’Whiz Kid Girl’’ mund të parashikojë të ardhmen kurse ‘’Empathy Girl’’ ka aftësinë të lexojë ndjesitë e të tjerëve.
Momentalisht seriali është shfaqet në shkolla dhe gjatë aktiviteteve të ndryshme, por krijuesit po përpiqen që ta shfaqin në transmetuesit televizivë.