Te semureve me dialize u sherbehet me pak se 2 ore nga 4 te nevojshme
Për ata që nuk e njohin sëmundjen kronike të veshkave, dializa është një terapi që i shpëton pacientët nga vdekja. Eshtë praktikisht një transplant artificial i veshkave. Në Tiranë, në Klinikën e Dializës në QSUT, ka disa qindra persona që e marrin falas këtë terapi.
Ka dy lloje dializash: njëra quhet hemodializë e tjetra quhet dializë peritonale. Kjo e fundit bëhet në kushte shtëpie: pacienti merr likuidin dhe përmes një tubi të inkorporuar në bark, fut katër herë në ditë një lëng me minerale dhe sheqer që duke qëndruar në trup kryen funksioninin e pastrimit të gjakut që normalisht do duhet ta bënte veshka.
Ndërsa lloji tjetër i kësaj terapie, hemodializa, kryhet në spital. Praktikisht, pacientëve u instalohen mjetet në atë mënyrë që gjaku i tyre të qarkullojë i gjithi në një aparaturë elektronike. Kjo proçedurë duhet të zgjasë deri në 4 orë, në atë mënyrë që gjaku të mund të pastrohet plotësisht në aparaturë para se të hyjë sërish në enët e gjakut të pacientit (atë punë që veshkat e tyre nuk e kryejnë dot). Kjo lloj dialize bëhet të paktën 3 herë në javë, por ama u mundëson të sëmurëve kronikë të kenë një jetë të zakonshme, aktive dhe mëse normale.
Por disa pacientë të kësaj klinike konstatuan në analizat e tyre të fundit për muajin gusht se niveli i helmit të papastruar në gjakun e tyre ishte i lartë. Kjo duket në analizat që masin kreatininën në gjak. Tre punonjëse të këtij pavioni, pa dashur të identifikohen konfirmuan se gjatë stinës së verës doktorët i lenë pacientët vetëm 1 apo 2 orë në proçesin e dializës, nga të paktën 4 orë që ajo duhet të zgjasë.
Për pasojë, pacientët e dializës në QSUT kanë patur në masë këtë muajin e fundit rezultate alarmuese në analizat e tyre. “Këtu ka marrë fund gjithçka”, thotë një infermiere që punon prej shumë vitesh në atë klinikë, “doktorët nuk duan të qëndrojnë asnjë minutë më shumë dhe e shkurtojnë kohën e dializës për pacientët”./His.Ime/