Feja e shqiptarit eshte homofobia – shkruhet ne blogun e “sjelljeve te pamoralshme”
Shenim: Historia-ime.com rezervon te drejten per te patur nje qendrim jo detyrimisht si i autorit me poshte. Mendimet e shprehura në këtë shkrim nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS) dhe Civil Rights Defenders qe mbeshtesin Historia Ime
*Nga Arnold Grabocka
Nëse më lejohet profaniteti i një përgjithësimi në lidhje me shqiptarët, nuk ngurroj të them se një nga veset më të mëdha (përtej keqqeverisjes a pangopësisë) është parashtrimi i keq i debateve publike. Debatet perëndimore kanë kaluar përtej dilemave nëse pula e bëri vezën, a veza pulën. Madje për kënaqësi, është vërtetuar shumë thjesht se në fakt pula e bëri vezën.
Në Shqipëri kjo dilemë merr forma të pazgjidhshme, dhe morfohet në shumë tema sociale. Për shembull, para shqiptarëve shtrohen disa dilema psikopatologjike: Taksa e sheshtë apo progresive? Të lejojmë homoseksualët të bëjnë një jetë të qetë, apo jo? Të dënojmë dhunuesit e grave të tyre me vdekje, apo jo?
Nëse statistikat politike të sondazhit të fundit të SOROS ishin jo shumë të besueshme për shkak të gabimeve metodologjike, rezultatet mbi homofobinë e shqiptarëve dhe besimin fetar ofrojnë një tablo më realiste. Këto statistika sociale nuk bien në vorbullën e amatorizmit metodologjik, për shkak të polarizimit të tyre të lartë.
Si fillim, një kontradiktë. Sipas sondazhit shqiptarët janë populli më besimtar mes 28 shtetesh të anketuara. Në një shkallë nga 0 në 10, besimi fetar në Shqipëri merr notën mesatare 7.3. Megjithatë, paradoksalisht, vetëm 12% e shqiptarëve shkojnë në kishë a xhami rregullisht. Logjika tregon se atje ku ka një frymë të lartë besimi fetar, do të ketë edhe frekuentim konstant të shërbesave fetare. Pra çfarë është ky fenomen kontradiktor këtu tek ne? A mos vallë është e vërtetë se shumica e shqiptarëve besojnë sa për sy e faqe? A mos vallë është e vërtetë se ata besojnë tek një entitet i mbinatyrshëm vetëm atëhere kur janë në hall?
Sipas Kierkegaard, nuk ka kuptim të flasim për besimtarë të mëdhenj a besimtarë të vegjël. Nuk ka kuptim të themi se besojmë pak a besojmë pak më shumë tek feja. Mund të ketë vetëm njerëz besues dhe mosbesues për çështjet fetare, dhe kjo përfshin në mënyrë automatike edhe frekuentimin a mosfrekuentimin e shërbesave fetare. Pikërisht këtu më kujtohet debati i ashpër i para disa vitesh midis Kadaresë dhe Qosjas.
I pari argumentonte, në mënyrë të thjeshtëzuar, se shqiptarët historikisht kanë patur një kulturë perëndimore, pavarësisht “mësymjes” disashekullore islamike. Ai e vendos krishtërimin si shtylla kryesore e cila e integron automatikisht Shqipërinë me pjesën e civilizuar të Europës. Nga ana tjetër, Qosja argumenton se Shqipëria ka një histori lindore-islamike. Vendosja e këtij debati në formën e një dileme “veza apo pula”, dërrmon dhe atrofizon gjithë opinionin publik.
Shqiptarët, në këtë mënyrë, e përfshijnë filozofinë fetare brenda strukturës së tyre të gjerë klienteliste. Feja kthehet në një zgjidhje gati-materiale për të kuruar plagët e tyre psikologjike, porsi një ilaç pa lek. Duke patur çmime të papërballueshme ilaçesh, feja kthehet në një formë asistence sociale. Megjithatë, në këtë logjikim materialist mbi fenë, shqiptarët janë më të gatshëm të konsiderojnë sheqerin a cigaren si produkt të lidhur me kafenë, sesa shërbimet fetare si produkt i lidhur me besimin. Kjo humbje e rrugës dhe “verbim nga hallet”, e kthen shqiptarin e thjeshtë në një qenie që sakrifikon dëshirën për detyrimin (njësoj si me votën dhe partitë politike).
Nëse populli i thjeshtë i shtresës së mesme e të varfër e trajton fenë si një shërbim a ilaç pa lek, shqiptarët e pasur dhe fëmijët e tyre i kanë zëvendësuar rrëfimet te prifti me rrëfimet te psikologu; shërbesat fetare me pushimet ndër plazhe videoklipesh. Sipas parimit “çka është më e shtrenjtë, është më e mirë”, ata mund të besojnë në fe, por nuk adoptojnë zgjidhjen “no cost” të shërbesave fetare.
Që këtu, kalojmë te një dilemë akoma më shqetësuese: homofobia shqiptare. Sipas sondazhit të SOROS, renditemi më homofobikët mes 28 vendesh të anketuara (grafiku me poshte). 53% e të anketuarve mendojnë se homoseksualët nuk duhen lënë të lirë të jëtojnë jetën ashtu siç duan. Pra, 53% e të anketuarve nuk janë thjesht homofobikë, por edhe shovinistë të të drejtave bazike të njeriut, nëse shihet me kujdes struktura e pyetjes. Sërisht, sa herë shtrohet dilema “pro apo kundër homoseksualitetit”, veza dhe pula rishfaqen dhunshëm.
Kjo dilemë patetike mund të bjerë pre logjikimesh të cilat çojnë edhe në paradokse, të tipit: po mirë, meqënëse një mashkull homofobik urren gei-t por ëndërron në mënyrë perverse çiftet lesbike, atëhere a nuk mund të gjykojmë se ai në thelb është njëkohësisht edhe pro edhe kundër homofobisë? Pra debate pro-kundër nuk ekziston. Për një popull i cili që foshnjë ka mësuar për luftë klasash, është e papranueshme homofobia.
Seksualiteti nuk mund të përkthehet kurrsesi në terma ekonomikë, në kosto-përfitim a në luftë klasash. Struktura homofobike shqiptare është aq e fortë, holistike dhe e rrezikshme, sa e transformon preferencën seksuale në një term linguistik të deformuar. Përçarja midis shënjuesit dhe të shënjuarit është jashtëzakonisht e madhe. Homoseksuali në Shqipëri nuk është ai që ekziston në gjithë botën, përkundrazi.
Këtu sulmohet si homoseksual ai që tenton të shtrojë debatin mbi homoseksualitetin, duke shtrembëruar termin (që as nuk duhet të ekzistojë si term) në një etiketim joseksual, në abuzim linguistik. Pra shqiptarët e pyetur prej SOROS a cilitdo instituti tjetër, shënjuesin (grumbullin arbitrar të shkronjave) që përbën fjalën “homoseksual”, nuk e lidhin me të shënjuarin (objektin a fenomenin e shënjuar prej grumbullimit të shkronjave arbitrare).
Pra homoseksual në Shqipëri nuk është ai që kryen marrëdhënie seksuale brenda të njëjtit seks, por ai që nuk na pëlqen, ai që ka sjellje të papranueshme, ai që na insulton (qoftë me fjalë a me vepra), fqinji, shoku, shkrimtari, aktivisti, politikani, e kështu me rradhë. Debati “pro-kundër” në Shqipëri nuk merret fare me objektin a fenomenin origjinal, përkundrazi, ai është i padukshëm, aq i papranueshëm sa as nuk mund të etiketohet.
Pra sondazhet tregojnë një kontradiktë madhore. Shqipëria është një vend me besimtarë fetarë të cilët rrallë shkojnë në kishë, xhami a teqe, dhe që me homoseksualitet nënkuptojnë më shumë një insult linguistik i cili nuk ka të bëjë fare me seksualitetin. Madje çdo fjalë fyese me konotacione seksuale, për shqiptarin nënkupton tërësisht të kundërtën, anti-seksualitetin.
Kastrimi i kësaj shtrese njerëzish sigurisht që i ka rrënjët te nënshtrimi politik dhe atëror gjatë regjimit hoxhaist. Nuk është për t’u çuditur në lidhje me ekzistencën e këtij kastrimi, duke parë që gjatë periudhës hoxhaiste partia-baba dhe babai-parti zëvendësonin njëri-tjetrin në cikle shtypëse. Shqiptari, pseudo-nacionalist, pseudo-homofob, pseudo-tolerant, pseudo-demokrat, pseudo-socialist, pseudo-besimtar, pseudo-tregtar e pseudo-pedofil, nuk e heq dot vezën dhe pulën nga mendja.
Marre nga blogu i Mendimeve perverse dhe sjelljes se pamoralshme