Kur humori i keq i Portokalli, Al Pazar, Apartmentit 2XL, etj, legjitimon diskriminimin
Nga Kristi Pinderi
Një lexues i Historia-ime.com na njoftoi nëse e kishim parë emisionin e fundit të Apartamentit 2XL. Në fakt nuk e kishim parë.
Ai na tha (me një ton të indinjuar) se në një moment “humori” aktori Julian Deda tha: “kam dëgjuar që është një Kristi që ka dëshirë t’i provojë të gjitha ushqimet këtu”.
I përgjigjet Genti (aktori tjeter): “Po, është kameramani ynë, jo Kristi Pinderi se ai mund të hajë ku të dojë, por jo këtu te ne…”.
Lajmi i mirë, në rast se do bënim një koment në lidhje me zhvillimin e artit skenik dhe shfaqjeve televizive, është që tashmë kemi disa emisione që me traditën dhe punën e tyre po bëjnë një punë të mirë në fushën e humorit.
Janë të paktën tre mini-shkolla të humorit shqiptar, Portokalli, Al Pazar dhe Apartamenti 2XL.
Do të ishte trishtuese mungesa e prodhimeve televizive të humorit, sidomos në një vend që është i mbushur me humor e me sensin e shakase, nga mëngjesi deri në darkë.
Por, nga ana tjetër është e trishtueshme të shikosh që niveli shqiptar i humorit që paraqitet në të tilla programe është në kufijtë e të qënit banal.
Një target i përhershëm, i padrejtë i prodhimeve të tilla, mbetet komuniteti LGBT. Sidomos meshkujt e feminizuar (nëse mund të përdorim ketë term). Si tek Al Pazar i Agron Llakajt, si në Portokalli, etj.
Në këndvështrimin tim personal kjo është e padrejtë. Në botën e qytetëruar, humori është një armë e fuqishme kulturore dhe politike për t’i bërë jetët e njerëzve më të mira, ose për të sjellë një këndvështrim më praktik, më të goditur e më të saktë të fenomeneve sociale.
Asgjëkundi nuk bëhet më humor me personazhe djem apo gej të feminizuar në një formë diskriminuese, sepse kjo do të thotë të përforcosh stereotipe të gabuara dhe kjo, në fund të fundit, nuk përcjell asnjë mesazh tolerance, përkundrazi, në formën e vet përdorimi i stereotipeve në emisione me audiencë kombëtare luan rolin e kundërt: frymëzon në mënyrën e vet sjellje mohuese, vecuese dhe diskriminuese ndaj grupimeve të vecanta.
Mos harrojmë që skecet aspak të bukura me komunitetin rom gjatë Portokallisë ishin në vetvete një turp i televizionit shqiptar. Jo më kot ato u ndërprenë në një moment…
Ka një dilemë mes nesh aktivistëve LGBT nëse duhet të reagojmë ndaj këtyre shfaqjeve të fundit që cimentojnë streotipet shqiptare, apo duhet të qeshim me to.
Duhet të kuptojmë lirinë krijuese të autorëve të humorit, apo duhet të reagojmë me indiferencë në mënyrë që ata të kuptojnë vetë përgjegjësinë e punës së tyre?
Unë personalisht nuk e di se cila do të ishte formula më e duhur e reagimit, apo bashkëpunimit me të tilla shfaqje intolerance të mbuluara me të drejtën dhe lirinë e artit të humorit.
Di vetëm një gjë: humoristët dhe aktorët shqiptarë kanë shansin ose të kuptojnë nga aktorë si Roberto Benigni psh që ngre në këmbë publikun e Sanremos kur reciton me respect Oskar Uajlldin, ose të vazhdojnë të “krijojnë” “vepra” që jo detyrimisht edukojnë, e jo detyrimisht të bëjnë për të qeshur, ama legjitimojnë probleme të mëdha të shoqërisë, sic është diskriminimi.