Kur edhe media edhe Prokuroria kompleksohen ne Korce
Nga Kristi Pinderi
Në rast se pajisesh me një kamera të fshehtë dhe nis të xhirosh cdo veprim do të dukej në ekran si i dyshimtë.
Kështu ndodhi dhe me shërbimin e fundit televiziv të emisionit Fiks Fare. Në një zyrë lokale në Korcë dukeshin në formatin e dyshimtë të kameras së fshehtë të rinj që shkonin aty, tregonin emrin dhe numrin e telefonit, dikush konfirmonte me një listë përpara dhe këta merrnin në dorë 2 mijë lek.
Në psikologjinë tonë kur dikush duket në një video të xhiruar me kamera të fshehtë automatikisht ngarkesa që e shoqëron shikuesin është negative. Por të rinj të FRESSH dolën një ditë më pas dhe sqaruan se nuk po paguanin askënd në këmbim të votës për kandidatin socialist për kryetar bashkie. Thanë se po rimbursonin të rinjtë anëtarë të organizatës së tyre për shpenzimet e rrugës nga Tirana ku studiojnë, në Korcë ku duhet të votonin.
Unë e besoj këtë sqarim. Nuk ka ose më saktë, nuk duhet të ketë asnjë organizatë që e bazon frymën dhe punën e saj te aktivistët dhe vullnetarët pa patur dhe një protokoll apo një kod të mënyrës se si do i inkurajojë anëtarët e vet të jenë aktivë për një kauzë që e kanë zgjedhur vetë si kauzë të tyre. Nuk ka sot asnjë organizatë politike në botë që të mos mendojë për një program të mirëfilltë për trajtimin e vullnetarëve të saj. Ku qëndron problemi atëherë?
Ne kishim në zgjedhjet e kaluara kandidatë që dhuronin lopë e bagëti, ama nuk e mori as prokuroria e as opinioni publik seriozisht, dhe shumë keq që ndodhi kështu!
Në 20 vitet e fundit ne kemi parë plane pa fund si shpërndahen thasë mielli nga kandidatë e nga partitë e tyre, ama nuk e kemi parë prokurorinë të lëvizë një gisht.
Jo pse nisi hetimin në Korcë, dhe bëri gabim! Përkundrazi, bëri shumë mirë.
Gjithashtu, jo pse Fiksi, ndoshta në një moment kompleksimi për t’u radhitur në opozitë (këtë e kemi marrë të mirëqënë dhe nuk e ve njeri në dyshim ?) bëri gabim që u mor me këtë cështje. Përkundrazi. Por si cdo zhvillim njerëzor, gazetarët kanë për detyrë të tregojnë cdo anë e kënd të historisë. Nuk më duket etike që një ditë transmeton plane nga një kamera e fshehtë dhe e le 48 orë publikun të perceptojë me pahir se ka parë një rast korrupsioni dhe vjedhje të votës. Dhe pastaj ditën tjetër të sjellë këndvështrimin e palës së akuzuar, që në cdo rast duket thjesht si justifikim. Këto janë forma të padrejta që gazetaria ndonjëherë me prepotencë, përdor për qëllime të caktuara. Dhe nuk janë forma të ndershme.
Dmth, ska asnjë problem pse media dhe prokuroria merret me këto gjëra. Problemi është kur që të dyja bëjnë sikur merren, në fakt, me problemin. Dhe nuk e cojnë deri në fund. Fjala vjen, pse nuk investigojnë për pagesat e errëta ndaj partive politike? Sepse kjo po, do të ishte thelbi i problemit. Përndryshe kemi të bëjmë vetëm me një rast kompleksimi: Fiksi për të na treguar se është në opozitë të përjetshme, dhe Prokuroria për të na treguar se bën punën e saj.
Dhe e fundit: pse nuk i përgjigjet po kjo prokurori kërkesës së familjarëve të viktimave në Gërdec për të gjykuar ish ministrin Fatmir Mediu?