INVESTIGIM/Fatorinot detyrohen nga kompania te dalin ne proteste. Anullohet protesta e se henes
INVESTIGIM/Punonjësit e transportit 4 muaj pa marrë rrogat, grevat organizohen nga sindikatat, pronarët urdhërojnë ndërprerjen e punës! Qeveria dhe bashkia heshtin
Nga Albina Hoxha per Historia Ime
Transporti publik është në kaos. Shoferët dhe fatorinot kanë 4 muaj pa marrë rrogën. Shoqatat e transportit publik ankohen se shteti nuk i ka subvencionuar për kategoritë që përfitojnë udhëtim falas në transportin publik. Më herët shoqatat e transportit kanë kërkuar rritjen e çmimit të biletës nga 30 lekë në 70 lekë. Pas protestës 3 orëshe të zhvilluar disa ditë më parë ishte paralajmëruar një grevë 24 orëshë për ditën e hënë e cila papritur është anuluar.
Pas bisedës me shoferët dhe fatorinot kuptojmë se nuk janë ata organizatorët e protestave por vetëm zbatuesit e urdhërave. Nuk dihet nëse këto protesta dhe këto reagime janë vërtetë në interes të punonjësve të cilët kanë kohë pa u paguar apo janë interesa më të larta të cilat kërkojnë nëpërmjet kësaj forme që zëri i tyre të dëgjohet.
Edhe 5 muaj pa u paguar
Shoferët shprehen se prej kohësh kanë problememe pagesat. Më parë kanë qendruar mbi 5 muaj pa marrë rrogën. Të tjerë shprehen se në vend të pagës iu është dhënë abone të cilat i kanë shitur dhe kanë përfituar para. “Prej kohësh kemi probleme me pagat, nuk e dimë se çfarë po ndodh, disa i kanë hequr nga puna dhe lekët nuk iu kanë dhënë…”, shprehet një shofer rreth 50 vjeç.
Një fatorino i pyetur lidhur me protestën dhe se çfarë kërkojnë ata u përgjigj kështu: “Ne nuk dimë asgjë për protestën, na kanë thëne pronarët që nuk do punojmë tre orë dhe kaq. Të ishte për të protestuar protestonim më parë pasi kemi 4 muaj pa marrë rrogat dhe më parë kemi pasur akoma më shumë. Ne bëjmë çfarë na thonë.”
Ne janar mund te falimentojme
Por çfarë thotë shoqata e transportit? Ne biseduam me Ferdinand Ibrahimin i cili është përgjegjës për linjën e Unazës. “Prej kohësh jemi në vështirësi financiare, kemi 4 muaj pa dhënë pagat punonjësve sepse jemi në vështirësi.Jemi duke punuar për të arritur në një marrëveshje me qeverinë në mënyrë që qeveria të na ndihmojë dhe të na lehtësojë këtë situatë.” Ai pohon se nëse nuk iu ofrohet mbështjetje nga qeveria në janar shoqatat e transportit do të kenë falimentuar.
“Qeveria të na ndihmojë me rritjen e çmimit të biletës, heqje të akcizës së karburantit ose heqje të tvsh-së. Në të kundërt në nuk shpëtojmë dot. Për një orë një autobusi i nevojiten 6-7 litra naftë, e pamunduar ta përballojmë.”
Protestat janë organizuar nga Sindikata e Transportit. Lidhur me anullimin e grevës 24 orëshe ditën e hënë kreu i sindikatës Zija Hasani tha se është arritur një marrëveshje me shoqërinë e transportit. “Sipas marrëveshjes deri në 28 dhjetor shoqata e transporti do tu kenë paguar punonjësve 50% të pagave, ndërsa deri në 31 janar të gjithë punonjësit do të kenë marrë të gjitha pagat. Nëse kjo nuk realizohet ne do të vijojmë grevën. Vendimi është marrë nga punonjësit e transportit publik dhe sindikatat.”
Me transportin publik udhëtojnë shtresat e shoqërisë me të ardhura të ulëta dhe rritja e çmimit të biletës do rëndonte së tepërmi xhepat e qytetarëve. Për rritjen ose jo të çmimit të biletës do të vendosë Ministri i Transporti dhe Infrastrukturës si dhe Këshilli i Ministrave.
Të gjitha linjat e transportit publik në kryeqytet janë linja private. Edhe linja e Kombinatit e cila ishte e vetmja linjë shtetërore u privatizua një vit më parë.
Lidhur me këtë çështje deri tani nuk ka pasur asnjë reagim qeveria apo pushteti vendor. Ende nuk dihet nëse çmimi i biletës do të rritet.