Kur edhe te vdekurit kane dy fytyra (Ose Kryeministri Rama dhe pijetari Madhi)
Nga Koloreto Cukali
“Ibrahim Madhi mik i mirë kohësh të vjetra violinist e pijetar virtuoz iku pa zhurmë duke lënë pas shijen e muzikës e të bisedës pa zhurmë”, shkroi Rama në Twitter. Është një frazë e ndjerë për një njeri që Rama mund ta ketë njohur edhe personalisht, por që ka brenda termin fatal “pijetar”. “Pijetar”, është fjalë e stërholluar për të thënë “pijanec”.
Standarti i dyfishtë me të vdekurit
Ne si shoqëri vuajmë nga kompleksi se për të vdekurin nuk flitet keq. Kjo na ka bërë, që ata që shahen, përfliten e përbuzen në të gjallë, befas trajtohen me respekt kur nuk janë më. E tillë është dhe tentativa për të bërë sikur nuk e ekzistojnë dashnoret e personaliteteve që vdesin, apo glorifikimi i atyre që mund të kenë qenë trafikantë e shkelës ligji, vrasës e dhunues, por që ia kanë dalë të imponohen në shoqëri. Kjo lloj marrëdhënieje ka bërë që shumë njerëz të njohur ikin nga kjo botë me një imazh krejt tjetër nga ai që kanë pasur në të gjallë.
Edhe të vdekurit te ne kanë dy fytyra, atë që njihnim para vdekjes e atë që i stisim pas. Por, ne jemi mësuar me standarte të dyfishta mbi të vërtetën. Ndaj acarohemi pse një Kryeministër thotë troç diçka që e dinë të gjithë, edhe pse të kamufluar me fjalën poetike “pijetar”.
Pijanecë dhe Kryeministra
Sido që ta kthesh frazën e ndjerë të Ramës, marrëdhënia e Madhit me pijen mbeti në atë fjalë të fundit të thënë nga Kryeministri për violinistin virtuoz. Ndoshta të gjithë e mendojnë atë që ka thënë Rama. Por askush nuk e thotë, sidomos post-mortem.
Ky Kryeministër nuk është modeli i fundëm i atij që thotë të vërtetat e kësaj shoqërie troç, sa herë i jepet rasti. Edhe ai hesht shpesh kur duhet të flasë ose përdor fjalë të stërholluara për të fshehur atë që të gjtihë e dimë se është e vërtetë. Nëse duhet ta gjykojmë për atë që shkroi, mund ta bëjmë jo se shkroi “keq” për një të vdekur, por kur operon me dopjo standarte; kur jo të gjithë hajdutët i thërret hajdutë, jo të gjithë të korruptuarit i thërret të korruptuar, e jo të tërë pijanecët i thërret pijetarë.
I vetmi kriter për ta gjykuar atë frazë të Kryeministrit, është duke menduar nëse vetë i ndjeri do buzëqeshte apo do inatosej me atë dedikim. Unë nuk e kam njohur personalisht Madhin. Por, duke gjykuar me shpirtmadhësinë e artistit e të pijanecit, besoj se ka shumë mundësi që ai të kishte buzëqeshur pa thënë ndonjë fjalë.
/k.p/DITA/