Zerat e Butrintit
Gjatë muajit Mars-Prill 2014 Qendra për Trashëgiminë Kulturore Shqiptare (TRAKULT-Centre) ka ndërmarrë një projekt në Butrint për trashëgiminë shpirtërore me titull Zërat e Butrint. I financuar nga Fondacioni Butrint, projekti synon që nëpërmjet historisë së treguar (oral history) të nxis komunitetet që banojnë afër sitit të Butrintit të kuptojnë më mirë trashëgiminë e tyre kulturore. Në këtë projekt përfshihen fshatrat e Ksamilit, Vrinës, Shën Dëlliut dhe Xarrës.
Ilir Parangoni i cili drejton këtë studim, tregon se projekti ka si metodologji intervistat me banorë lokal dhe kujtimet që ata kanë në lidhje me Butrintin. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tilla se si ka evoluar peizazhi përqark Butrintit, si e kujtojnë ata sitin përgjatë viteve dhe çfarë mendojnë se Butrinti ka qenë dhe është për të ardhmen e tyre, synohet të krijohet një arkiv historik gojorë me njerëz që shpesh janë lënë jashtë vëmendjes së studiuesve.
Target grupi gjatë këtyre intervistave janë njerëzit të cilët kanë punuar në sistemin e drenazhimit bujqësorë në fushën e Vrinës, që gjendet përballë Butrintit; moshat e mëdha të cilët ruajnë në memorien e tyre ngjarje që lidhen me periudhën komuniste, ndryshimet e peizazhit dhe jetës gjatë dhe pas rënies së komunizmit, si dhe efektet e menaxhimit disa vjeçar nga anglezët.
Përmes kujtimeve projekti gjithashtu do të synoj që të nxis qëndrueshmërinë e ardhshme të Butrintit përmes inkurajimit të pronësisë lokale të sitit. I gjithë materiali i intervistave do të transkriptohet dhe do të përdoret përmes Fondacionit Butrinti për qëllime edukimi në shkollat e kësaj zonë si dhe turistët e ndryshëm.
Projekti do të ofrojë për Fondacionin Butrinti një arkiv me histori të treguara, i cili, në terma afat gjatë do të mund të përdoret për të siguruar burime për shkollat në rajon si dhe vizitorët ose turistët në Butrint. Ky është një projekt i cili ndërmerret për herë të parë në Butrint por edhe në Shqipëri. Qëndrueshmëria e këtij projekti do të jetë shtrirja e tij edhe në site të tjera historike dhe arkeologjike të Shqipërisë duke ofruar një mjet për studimin e mjedisit historik në vend.