Campbell: Imazhi i ri i Shqiperise per ndryshimin e vertete
Alastair Campbell
Thoni emrin të një shteti çfarëdo të botës dhe njerëzit kanë menjëherë një ide të atij vendi. SHBA qëndron ende në krye të sondazheve kombëtare të brandimit (brand – markë). Britania, Kanadaja, Australia dhe Brazili gjithashtu janë mjaft mirë, falë edhe sportit, botës së spektaklit dhe kulturës. Gjermania po ngrihet lart si brand (markë). Kina shihet shumë ndryshe tani nga sa shihej vetëm para pak vitesh.
Njerëzve u pëlqen ta portretizojnë komunikimin, brandimin dhe marketingun negativisht – si “spin”, një fjalë kod për gënjeshtrat dhe mashtrimet – por imazhi ka rëndësi: për markat, për njerëzit dhe për shtetet.
Kur një vend është etiketuar me nuanca negative për një kohë të gjatë, ndryshimi mund të jetë I vështirë dhe mund të ketë pasoja negative të drejtpërdrejta – ekonomike, sociale, politike dhe kulturore – duke e bërë më të vështirë ndryshimin e kërkuar edhe për përmirësimin e imazhit, por më së shumti për përmirësimin e jetës dhe standardeve të jetesës të njeëzve.
Pra, nëse them “Shqipëria…”
Pikërisht. E di çfarë po mendoni. Edhe shqiptarët. Ata e dinë se kanë një problem në nivel ndërkombëtar, me fokus të gjerë në pasojat post-komuniste, ose tani me korrupsionin, krimin e organizuar e të tjera tipare negative. Filimi “Taken” nuk i bëri nder këtij imazhi, gjithashtu.
Por qeveria e re, e cila fitoi me shumicë votash në qershorin e kaluar dhe është në pushtet prej shtatorit ka vendosur se që të adresojë problemin e imazhit ndërkombëtar është e nevojshme t’i drejtohet kompanive ndërkombëtare të PR-it, marketingut dhe strategjive.
Kryeministri shqiptar Edi Rama hapi një konkurs global “Branding Albania” nëpërmjet Twitter-it, duke thënë se #nextgenerationalbania do t’i sillte një “pranverë të bukur” imazhit dimëror e deri diku të ashpër të Shqipërisë.
Konkursi u hap më 8 prill dhe data e mbylljes për a plikime është 30 prilli. Firmat duhet të ofrojnë ide të promovimit të Shqipërisë në një mënyrë që e lidh ri-brandimin me zhvillimin dhe ndryshimin. Rama e di se ndryshimi duhet të jetë real që brandimi të ketë mundësi suksesi. Ai do që rezultati të jetë i tillë që Shqipëria të shihet si një destinacion kryesor për turistët dhe një vend jashtëzakonisht avantazhues për investim.
Emërimi i vajzave dhe djemve të rinj shqiptarë të mirë-arsimuar në agjenci kyçe në lidhje me investimin dhe biznesin në vend ishte një prej lëvizjeve të tij të para. Së fundmi, një tjetër hap mbresëlënës është ndërmarrë me qeverinë që po financon valën e parë të projekteve të transformimit urban që synojnë ri-brandimin e qarqeve nëpërmjet zhvillimit të infrastukturës të projektuar për inkurajimin e turizmit.
Me anë të këtij pozicionimi vendi po sinjalizon për ndryshim. Në katër ditët e para të hapjes së konkursit qeveria mori 54 aplikimi nga vendi dhe jashtë, duke përfshirë Britaninë, Italinë, Spanjën, Hong-Kongun, SHBA-në, si dhe një nga “CNN International”. Shpresoj që ky artikull do të gjenerojë aplikime të reja në nextgenerationalbania.info.
Ndryshimi po ndodh. Angela Merkel, jo më pak, e pranoi këtë kur u takua me Ramën së fundmi dhe premtoi të vizitonte Tiranën brenda vitit të ardhshëm dhe mbështetje për nxitjen e statusit si vend kandiat për në BE. Ky ishte një moment i madh. Sigurisht, Gjermania është mbase shembulli më i mirë në botë se si një vend mund të përmirësojnë imazhin botëror me kohën.
Shqipëria është shumë më e vogël, më pak e fuqishme, dhe stereotipet mund të fshihen më me vështirësi. Por ata po fillojnë të bëjnë pikërisht këtë dhe kërkimi i ndihmës në formën e këtij konkursi do ta çojë përpara këtë proces.
Unë u përfshiva në fushatën e Ramës gjatë opozitës dhe kam qëndruar i përfshirë tani që ai është kryeministër sepse pata rastin ta njoh rajonin gjatë luftës në Kosovë, e pëlqeva dhe m’u duk politikisht dhe historikisht magjepsës, si dhe strategjikisht i rëndësishëm.
Vendet që përpiqen të ndryshojnë për mirë meritojnë mbështetje në përpjekjen për të ndryshuar. Kjo është pjesë e këtij ndryshimi. Në epokën e medias moderne gjithashtu sinjalizon se ata e kanë kuptuar se vendet duhet të luftojnë që t’u dëgjohet zëri, të bëjnë të mundur që për to të thuhet e vërteta, të jenë krijues dhe me fantazi dhe të përfshihen. Për më tepër, në një botë të ndërlidhur ngushtë asnjë vend nuk mund të prodhojë një ndryshim domethënës dhe afatgjatë nëse reformat nuk kuptohen dhe mbështeten brenda dhe jashtë vendit.
Ndaj, brandimi ndërkombëtar nuk është vetëm një mjet për ndryshimin e imazhit të një vendi, poër një mjet për të arritur ndryshim real për njerëzit e këtij vendi dhe konkursi #nextgenarationalbania mund të merret si një shembull i shkëlqyer i kësaj. Si një artist, para se t’i futej politikës, Rama e kupton këtë më mirë se shumë liderë të tjerë.
Me kalimin e kohës, qëllimi është që përmendja e Shqipërisë të gjenerojë një reagim të ndryshëm nga ai që ngjall tani – shakatë me Norman Wisdom dhe përfolja si një vend i njohur vetëm për krim e korrupsion. Shqipëria ka shumë më shumë se aq.
Shumë vende të tjera e kanë përdorur brandimin dhe PR-in për të ndryshuar imahzin e tyre në një mënyrë që është me përfitim për njerëzit e tyre. Shqipëria tenton të’i shtohet kësaj liste dhe unë jam i kënaqur për konsulencën time në këtë dhe që jam në jurinë që do vendosë se cila nga shumë idetë që do vijnë do vihet në zbatim.
Marrë nga “PRweek”