Party private me veze te Vila e Enverit
Koloreto Cukali
Para 2-3 ditësh, në Vilën e Enverit u zhvillua një performancë artistike nga një grup artistësh. Ideja që m’u krijua ishte për një organizim privat ose gjysmëprivat, që donte të inauguronte hapjen e Vilës së Enverit. Një vend i ndaluar në kohën e xhaxhit, i ndaluar dhe në kohën e pluralizmit, i ndaluar edhe gjatë kësaj performance, pasi hyrja ishte me ftesa, dhe të privilegjuarit për të ndjekur art ishin (siç thuhet) rreth 40. Tipike Blloku. Për të paprivilegjuarit, ishte vënë një ekran jashtë, që të mund të shihnin ç’bëhej brenda.
Është një situatë e ngjashme me atë të Vitit të Ri, kur Kryeministri mblodhi vetëm ca artistë në Pallatin e Brigadave, dhe la jashtë ca të tjerë. Këta të tjerët, e panë në TV atë festë. Madje, e gjeta veten emocionalisht te një koment i shkëlqyer nga Ema Andrea bërë me atë rast. Veçse këtë rradhë Ema vetë ishte brenda Vilës me ata 40 të privilegjuarit. Ndër ta, edhe zyrtarë të shtetit.
Vlera e performancës është çështje shijesh personale, edhe pse, 40 të privilegjuarit, gjykuar nga fotot që postuan, gjetën më me interes banjat ku kish kryer nevojat personale Enveri apo dhomat e gjumit, sesa performancën.
Një foto e Nexhmijes që behte diku në sfond më dha shijen e abuzimit, dhe po të isha si e veja e Diktatorit do e kisha tentuar hedhjen në gjyq për keqpërdorim imazhi.
Në këndvështrimin tim, ajo Vilë në këto 24 vjet e ka humbur vlerën dhe të drejtën për t’u lidhur artistikisht apo emocionalisht me Enverin. Por gjëja që më intereson është, si mund ta marr unë atë vilë për një pasdite për të festuar ditëlindjen?
Festat private e pubike
Nuk kam asgjë kundër performancave të mbyllura, por, kam diçka me pronën publike. Diçka, nuk mund të jetë edhe publike, edhe ekskluzive.
Edhe ditëlindja ime është një performancë interesante, dhe do të doja ta bëja në Vilën e Enverit. Të jeni të sigurt që mund t’i gjej një titull për ta justifikuar më së miri artistikisht se pse duhet bërë atje.
Që aktiviteti në fjalë të mos mbetet në kuadrin e një feste private me vezë, Ministria që e ka nën menaxhim këtë pronë publike duhet të afishojë çmimet e qerasë dhe numrat e kontaktit për këdo që dëshiron të organizojë një performancë artistike aty. Ky është kuptimi që i jap unë pronës publike: akses publik.
Nëse do të bëhet muze, do ishte mirë të ketë debat publik për këtë, por le të flasim se ç’duhet bërë me vilën derisa të vijmë te ai vendim.
Para pak kohësh, Piramida u hap për një koncert të Elina Dunit. Një mrekulli, Elina dhe koncerti.
Nuk e dija që Piramida ishte e përdorshme. Ka shumë artistë që do të dinin ta përdornin më së miri edhe atë për projektet e tyre, po nuk e dinë që qenka e mundur. Apo nuk është e mundur? Pyetja është, ku të trokasim, dhe ku janë afishuar çmimet për të përdorur këto asete publike?
Si n’vilë
Para disa javësh, një grup artistësh të rinj u detyruan të hapnin apartamentin e njërit prej tyre për ta kthyer në ekspozitë. Galeritë nuk i pranonin, institucionet bënin veshin shurdh. Ekspozita e titulluar “Si n’Shpi” kishte disa punë që mua më pëlqyen shumë dhe u vizitua nga mbi 200 njerëz. Pra, gati 5-fishi i grupit të privilegjuar prej 40 vetësh që ndoqën performancën si n’Vilë. Çfarë do duhej të bënin këta artistë për të pasur mundësinë të varin veprat e tyre në mjediset e Vilës? Kë duhet të njohin? Kë duhet të kenë mik në Qeveri? Me kë duhet të flirtojnë (politikisht) për t’u trajtuar si të pabarabartë?
Jam i detyruar ta mbush shkrimin me pyetje, sepse e di që kanë të gjitha nga një përgjigje të thjeshtë e të qartë, por që nuk ka ndërmend ta thotë publikisht askush që e ka për detyrë ta bëjë.