Kush nga politikanet ka kurajon te akuzoje per femijet e Permetit?
Andi Kananaj
Kush nga politikanët ka kurajon të akuzojë për fëmijët e Përmetit? Çfarë të ardhme i ka siguruar deri më tash “demokracia” atyre? Ai që ka kurajon, të hedhë gurin e parë
Në terma neoliberal Enveri është “në shitje” çdo datë përkujtimore, të luftës, datë çlirimi apo festë familjare dëshmorësh ose dhe përkujtesë ish’ të persekutuarish. Them “shitet”, se nëse do ish’ një sistem tjetër, do duhet te mendoja për ndarje të barabartë (komunizëm), ose përvetësim total si në mbretëri. Enveri mesa duket është ende trendy, duke kaluar cakun e famës së çdo DJ, këngëtari rock apo aktori tele-serish të njohur me ëmbëlsi si telenovelat për oraret e buta të pasdites. Për Enverin vërtetë s’paska moshë, ngeli bossi mediatik; pas marsit 92, Bon Jovi dukej sikur do të ish’ më i famshëm, por sot duket krejt utopike të mundi diktatorin në një përplasje gazetash. Gati mallkim: zgjohemi prej 24 vjetësh në të njëjtën ditë politike.
Siç ndodh me disa burra shteti proporcionalisht të sproporcionuar me shtetin që përfaqësojnë, Hoxha do të lerë pas vdekjes një boshllëk më të madh sesa vendi që zinte ndërkohë që ishte ende ne jetë. Këtë thoshte Indro Montanelli në 12 prill të vitit 1985. Mesa duket burri i mençur italian pavarësisht se Shqipëria ndodhej pas perdes së hekurt dhe Enver Hoxha ishte nw hijen e kësaj perdeje arriti të profetizonte të paktën deri 5 majin e vitit 2014. Enver Hoxhën nuk e hiqkemi dot qafe, atëherë le të hapet tenderi për përfitime sa më të mëdha.
E para në listë për të përfituar është Partia Demokratike, e cila efektivisht ja ka dalë të shesë jo vetëm gogolin Enver, por për hir të vërtetës ka qenë e aftë të privatizojë pjesët më vitale të asaj që shqiptarët ndërtuan përgjatë periudhës Hoxhiste. Partia Demokratike shiti (pas gogolit) në radhë pallatet e vjetra, minierat, tokat e bonifikuara, ish’ fabrikat, ish’ uzinat. Partia Demokratike brenda për brenda vetes në një tregti migratore u tregua e zonja të bënte me vlerë dhe dosjet e ish’ Sigurimit. Mos nxjerrja në dritë e tyre, mbajti peng ish’ funksionarë por jo vetëm kaq. Partia Demokratike me Berishën në krye, u tregua “profesionalisht” e aftë (dhe ende është e tillë) të krijojë ndjesinë e terrorit nëpërmjet një emri.
Këtë 5 Maj dhe njëherë u gjet një betejë e stisur diku në varrezat e Përmetit. Enveri u shit si në ditët e tij më të mira.
Pas shiut të fundit nga ku u dol me besimin se Shqipëria kurseu 15 milion euro energji; llogaritja se 70 herë të tilla kanë vlerën e gati 1 miliard dollarëve u risolli në kujtesë banorëve të këtij vendi, që hidrocentralet janë pasuri e përbashkët. Se vetia e tyre me e mirë është të sjellin lekë pa bërë gati asgjë. Se po të privatizohen, këto të ardhura do të ikin diku larg në glob si të ardhurat e Llotarisë Kombëtare (për të bërë një shembull “privatizimi të suksesshëm”).
Enveri për çdo vit duket sikur na paguan nga xhepi 1 miliard euro. Kjo nuk është e vërtetë në thelb, por edhe është e vërtetë. Politikat neoliberale që privatizojnë çdo tullw e mur, na kanë humbur mundësinë që ne të kapitalizojmë nga mundimi i atyre që u rraskapitën në vitet e diktaturës. Papërgjegjshmëria e politikanëve të rinj, të drejton pa vullnet te një simpati gati të detyruar dhe ndaj një diktatori. Kur shkollat ishim më të mira, kur spitalet kishin mjek që të paktën të preknin me dorë, kur një punë ta jepnin dhe me zor, ndërkohë që sot turpërohemi duke u lutur për një të tillë; kur çdo e drejtë të mohohet me vendim gjykate, kur fëmijët e tyre (se tani ata janë ata) kanë çdo gjë që ti ëndërron nga larg, kur shpresat fiket, atëherë ngelet i ndezur vetëm diktatori./Gazetadita.al/