Cfare i kerkojne romet Presidentit Nishani qe i injoron si dhe Parlamenti?
K Ë R K E S Ë
Drejtuar: Presidentit të Republikës, Z. Bujar NISHANI
Objekti: Kërkesë për ushtrimin e vetos pezulluese ndaj ligjit nr. 50/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar.”
I nderuar Zoti President i Republikës,
Ne nënshkruesit e peticionit, qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe pjesëtarë të komunitet rom dhe egjiptian, Ju drejtohemi me këtë kërkesë në një moment shumë deciziv kur më shumë se kurrë nevojitet ndërhyrja e Presidentit të Republikës si një garant i Kushtetutës dhe unitetit kombëtar.
Siç jeni vënë në dijeni zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë, ky i fundit ka miratuar ligjin nr. 50/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar”. Ligji përbën një ndërhyrje në legjislacionin që rregullon legalizimet, i cili sjell një sërë rregullash të reja që diktohen nga nevoja për përmirësime të aspektit teknik si dhe zgjidhjes sa më të shpejtë të problemit të ndërtimeve pa leje.
Që në nisjen e procesit legjislativ që prodhoi këtë ligj, ne, pjestarë të komunitetit rom dhe egjiptian, kërkuam të ishim pjesë e diskutimeve si një grup interesi me një numër të madh familjesh që prekeshin nga ky ligj. Përpjekjet tona konsistuan kryesisht në kërkesën për t’u dëgjuar për shqetësimet tona në lidhje me një numër të madh banesash të komunitetit, të cilat rrezikoheshin të mos njiheshin nga ligji dhe për pasojë do të gjendeshim pa asnjë mbrojtje ligjore në rast se do të përballeshim me dëbime si rezultat i zbatimit të ligjit. Pikat që kërkuam të trajtoheshin nga ligji mund të përmblidhen shkurtimisht në tre drejtime kryesore:
· Njohjen e ngrehinave informale të ndërtuara nga komuniteti ynë, me materiale alternative nga ato inerte, si dhe njohjen e të drejtës së tokës lidhur me këto ngrehina;
· Konsiderimin e regjistrimit paraprak të detyrueshëm në procesin e legazimit të cdo kërkuesi, pavarësisht nga shanset e tij për të përfituar më pas nga legalizimi ose jo;
· Miratimin e mekanizmave mbrojtës të sigurimit të një strehimi alternativ të përshtatshëm dhe të pranueshëm në rast të dështimit të legalizimit të kërkuesve, përpara se të kryhet dëbimi i tyre me vendim të autoritetet shtetërore administrative ose nëpërmjet vendimeve të gjykatave.
Përpjekjet tona drejtuar Kuvendit dështuan dhe kjo jo vetëm në mos marrjen në konsideratë të këtyre kërkesave, por edhe në mos përfshirjen në asnjë instancë të procesit legjislativ, të tilla si veprimtaria e komisioneve të përherëshme parlamentare, apo seancave plenare të Kuvendit.
Kjo shpërfillje e kërkesave tona, është në vazhdën e trajtimit të diferencuar që i bëhet komunitetit rom dhe egjiptian edhe sot, në një kohë kur gjendemi në Dekadën e Romëve dhe kur i gjithë qytetërimi perëndimor është duke ndryshuar perceptimin për mënyrën tonë të jetesës, nevojat dhe të drejtat tona.
Ne mendojmë se përpara se të diskutohet për detajet e çdo kërkese në lidhje me fusha të ndryshme, ne kemi të drejtën për t’u dëgjuar. Është pikërisht kjo e drejtë që Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka konsideruar.
Ne besojmë se, përvec se jemi qenie njerëzore dhe meritojmë të trajtohemi si të tilla, ne jemi edhe qenie sociale me një potencial të madh për të kontribuar në atdheun tonë të përbashkët. Por, pavarësisht këtij faktori, ne besojmë se në një shoqëri demokratike, çdokush duhet të dëgjohet për cështjet jetike që e shqetësojnë, në cdo proces vendimmarrës.
Është pikërisht kjo e drejtë boshti i kësaj kërkese që ne ju paraqesim sot, që Ju, me autoritetin që Ju jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të ushtroni të drejtën e vetos për të mosmiratuar ligjin e sipërpërmendur dhe për ta kthyer atë në tryezën e Kuvendit, atje ku debati ka munguar dhe zëri ynë nuk u dëgjua. Vetëm pasi të dëgjohet ky zë dhe të jepet një përgjigje e arsyetuar, mund të themi se kemi filluar të respektojmë parimet bazë të ndërtimit të shoqërie demokratike.
I nderuar Zoti President i Republikës,
Na lejoni t’Ju paraqesim një përmbledhje të shkurtër të shqetësimeve tona për ligjin e sipërpërmendur. Në rradhë të parë, për parantezë, vlen të theksohet se ligji për legalizimet është një zgjidhje e sforcuar ndaj një problem endemik që vuan Shqipëria për shkak të mosrespektimit të të drejtave të pronësisë dhe detyrimeve për një rregullim urbanistik të favorshëm. Nuk është vetëm komuniteti rom dhe egjiptian shkelës i këtyre rregullave, por e gjithë shoqëria shqiptare. Mbi 1 milion shqiptarë kanë ndërtuar pa leje, e pa njohur pronarët, kudo që kanë pasur mundësinë, me cdo mjet që kanë pasur mundësi të përdorin. Mungesa e autoritetit të shtetit ka bërë që ndër vite të mos ndalet e të shpërhapet kultura e gabuar e zaptimit të tokave, shpërfilljes së pronarëve, shpërfilljes së rregullave urbanistikë, etj. Sipas mundësive, dikush ka ndërtuar me materiale inerte dhe konstruksione të studiuara mirë nga ana inxhinierike, dhe dikush tjetër ka ndërtuar me mjete e materiale alternative të cilat nuk janë karabina të mirëfillta, por që gjithsesi janë ngrehina të cilat kanë shërbyer prej vitesh si banesa ku është zhvilluar jeta familjare. Edhe komuniteti rom dhe egjiptian nuk ka vepruar ndryshe në këtë drejtim. Pavarësisht llojit dhe cilësisë së ndërtimit të ngrehinave, emëruesi i përbashkët është zënia e tokës, e cila është përdorur nga personat e ardhur njëlloj sikur ata të ishin pronarë, ndërkohë që pronarët e ligjshëm nuk kanë marrë masat së bashku me autoritetet shtetërore për të vendosur rregull.
Pasi situata doli jashtë kontrollit të shtetit, ky i fundit përshtati ligjin për legalizimet si një nevojë për të zgjidhur në një mënyrë paqësore përplasjen mes poseduesve dhe pronarëve. Shteti mund të kishte gjetur ndoshta edhe mënyra të tjera, por që në momentin që vendosi të përshtasë këtë zgjidhje, ajo duhet të jetë e njëjtë dhe në kushte ndërshmërisht të barabarta për të gjitha kategoritë, në mënyrë që të mos bëhej shkak për diskriminimin e asnjë kategorie.
Prej kohësh kemi bërë përpjekje që ligji të afrohej me kërkesat tona të cilat janë më specifike në rastin tonë, por kemi qenë të ndërgjegjshëm që lobimi për të nismë legjislative do të ishte një sipërmarrje shumë e madhe dhe vështirë. Për këtë arsye kemi qenë në pritje të nisjes së një procesi reformues për ligjin e legalizimeve, në mënyrë që të shfrytëzonim momentin e diskutimit të aspekteve të ndryshme, duke konsideruar edhe kërkesat tona specifike.
Së pari, kemi kërkuar që të përfshihet në diskutim edhe njohja e ngrehinave informale të ndërtuara nga komuniteti ynë, me lëndë alternative nga ato inerte, si dhe njohjen e të drejtës së tokës lidhur me këto ngrehina pasi një numër i konsiderueshëm familjesh rome dhe egjiptiane jetojnë në këto kushte. Pavarësisht se me çfarë janë ndërtuar këto ngrehina, ato përsëri përbëjnë banesa dhe trualli i përdorur ka marrë tashmë trajtën e shtëpisë për ne. Familjet rome dhe egjiptiane që jetojnë në këto zona tashmë kanë zhvilluar lidhje të forta emocionale dhe njerëzore me vendet ku jetojnë dhe kanë zhvilluar një bazë të mënyrës së jetesës në varësi të burimeve ekonomike të disponueshme për ta. Në një mënyrë klasike marrdhënia ndërmjet truallit dhe ngrehinës është që kjo e fundit, kur përbën një karabina të ndërtuar me materiale inerte, është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me tokën të cilën e përvetëson si pjesë funksionale, por në kuptimin e veçantë që merr në rastin tonë, të drejtat mbi truallin funksional për ngrehinën garantojnë stabilitetin e banesës në të ardhmen, që të mos krijohen më situata të ngjashme me ato që komuniteti rom dhe egjiptian është përballur disa herë në të kaluarën. Për këtë arsye, edhe sikur ngrehina të mos jetë e ndërtuar me materiale inerte, ajo duhet parë si një strehë konvencionale që garanton jetën familjare.
Së dyti, kemi kërkuar që të konsiderohet regjistrimi paraprak i detyrueshëm në procesin e legazimit të çdo kërkuesi, pavarësisht nga shanset e tij për të përfituar më pas nga legalizimi ose jo. Nëse nuk do të përfillen kërkesat për aplikime, atëherë ne do të rrezikohemi të mos bëjmë pjesë në detyrimet funksionale të asnjë autoriteti shtetëror, duke u lënë në mëshirë të fatit në rast dëbimi. Në qoftë se regjistrimi i aplikimit do të jetë i detyrueshem, atëherë sidoqë të jetë fati i mëtejshëm i aplikimit, edhe sikur të vendoset që të mos pranohet legalizimi, autoriteteve shtetërore do të duhet t’i lindë detyrimi që të mos veprojnë me forcën e ligjit deri sa të gjendet një strehim alternative adekuat në një zonë tjetër.
Së treti, në vijim të pikës së mësipërme, kemi kërkuar që të përfshihen në ligj mekanizmat mbrojtës të gjetjes së një strehimi alternativ, të përshtatshëm, në rast të dështimit të legalizimit të kërkuesve, përpara se të kryhet dëbimi i tyre me vendim të autoritetet shtetërore administrative ose nëpërmjet vendimeve të gjykatave. Ky mekanizëm ligjor do të mbronte nga përkeqësimi i kushteve të jetesës nga humbja e strehës së një numri i madh i familjeve rome, egjiptiane dhe të shumicës së popullsisë.
Sa më sipër gjen mbështetje të njëzëshme në një sërë standarde ndërkombëtarë, të cilët janë shumë të qartë dhe të mundshëm për t’u aplikuar edhe në Shqipëri. Më konkretisht këto standarde i kemi bashkangjiitur në Aneksin 1, bashkangjitur kësaj kërkese.
I nderuar Zoti President i Republikës,
Momenti i diskutimeve për standardet e OKB, KE dhe OSBE ishte pikërisht para pak ditësh në Kuvend, por që kaloi në heshtje në një mënyrë jo drejtë. Nga ana Juaj kërkojmë që pasi t’i gjeni parimisht të drejta shqetësimet qe ngremë në këtë letër, të ushtroni të drejtën Tuaj për të rikthyer në Kuvend ligjin nr. 50/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar.”, në mënyrë që Kuvendi të trajtojë me seriozitet propozimet tona. Ne e çmojmë shumë këtë moment i cili paraqet mundësinë që ligji të riparohet sot, përpara se nesër të jetë shumë vonë. Nga një zgjidhje e vonuar do të humbnin të gjitha palët. Ne do të dëboheshim pa patur mundësinë e sistemimimit në strehë të përshtatshme, familjet tona do të rrezikoheshin seriozisht, si dhe shteti do të rrezikonte të bëhej objekt i kritikave dhe vendimeve penalizuese të organizatave ndërkombëtare.
Ne besojmë se gjithcka zgjidhet më së miri, nëse palët kanë veshë për të dëgjuar dhe dëshirë për të kuptuar. Ne besojmë se një nga qëllimet e ekzistencës së institucionit të Presidentit të Republikës është garantimi i këtij procesi mirëkuptues.
Duke shpresuar në një përgjigje pozitive nga ana Juaj, Ju falendërojmë për vëmendjen.
Me respekt,