300 ditet e qeverise
Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar kanë prezantuar paraditen e së hënës arritjet e qeverisë në 300 ditët e para të saj.
Në fjalën e tij, zoti Rama theksoi se “gjithçka që është arritur në këto 300 ditë nuk është merita jonë, por e të gjithë atyre që në 23 qershor, me votën e tyre, investuan tek ky projekt fitues”.
Kryeministri tha: “Në këto 300 ditë arritëm diçka fare të thjeshtë, por që dukej e pamundur para 300 ditësh: asnjë sipërmarrës nuk ndihet më në vështirësi me qeverinë për shkak të përkatësisë së tij politike dhe asnjë media nuk vihet në vështirësi për shkak të bindjeve politike.”
Edi Rama u shpreh se qeveria ka vendosur më në fund marrëdhënie etike me institucionet e pavaruara: “Nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, nuk jemi të lumtur me Prokurorin e Përgjithshëm, por nuk i diskretitojmë institucionet që ata drejtojnë. Nuk jemi të lumtur me KLD-në, por mandati që na është dhënë na imponon të kemi marrëdhënie etike me të.”
Në lidhje me statusin e vendit kandidat, kryeminstri deklaroi se pa punën e qeverisë aktuale, Shqipëria do ishte ende në pritje të tij: “Statusin e kandidatit Shqipëria nuk do e kishte marrë pa luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe pa rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Lazarati tashmë është një fshat si gjithë të tjerët dhe vendi ynë ka hequr njollën e një vendi ku lulëzon droga.
Ia dhamë statusin Shqipërisë nëpërmjet dinjitetit, duke mos e kërkuar atë si lëmoshë e duke mos e lidhur me qëllimet tona si qeveri apo me përmbajtjen e punës sonë, por duke argumentuar me seriozitet të drejtat dhe arsyet e forta pse Europa duhet t’i shohë shqiptarët jo si problem, por si një aset të çmuar.”
Rama premtoi gjithashtu se qeveria e tij do i mbajë të gjitha premtimet që ka bërë në fushatë elektorale: “Do t’i mbajmë një për një të gjitha premtimet dhe nëse nuk mbajmë ndonjë prej tyre, do ia shpjegojmë shqiptarëve arsyet pse nuk e kemi mbajtur duke ia lënë atyre në dorë nëse neve na ka munguar vullneti apo mundësia.”
Në fund, kryeministri Edi Rama, u shpreh qartë edhe për reformën në drejtësi: Tmerrohem kur zyrtarë të lartë të vendeve të huaja e njohin Gjin Gjonin me emër. Pse një Aleancë e tërë e njeh një farë Gjin Gjoni dhe e shtron si problem? Rezistenca do të jetë shumë e fortë, por reformën do e çojmë deri në fund. Edhe opozita kërkon drejtësinë e barabartë, por sa më shumë opozita mungon në takime, aq më shumë duken si mburoja e Gjonëve dhe Gjinëve të drejtësisë shqiptare.”
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati: Arritëm objektivin e marrjes së statusit kandidat. Do të punojmë që trupi diplomatik të qëndrojë larg politikës.
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha – Procesi i integrimit kërkon një punë të madhe dhe të palodhur. Statusin ia dedikoj të gjithë shqiptarëve të cilët na kanë vendosur para një përgjegjësie të madhe. Kemi përfunduar planin kombëtar për integrimin europian 2014-2020, ky plan do e përafrojë vendin tonë me ligjet e BE-së.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri – Pavarësisht vështirësive, kemi arritur të kthejmë në detyrë Policinë e Shtetit. I kemi rikthyer dinjitetin Policisë dhe i kemi garantuar më shumë siguri qytetarëve. Kemi shembur murin e pandëshkueshmërisë duke dënuar të “paprekshmit”. Vendosëm sundimin e ligjit në Lazarat dhe vendi nuk ka më zona ku nuk vlen forca e ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço – Jemi angazhuar për të hapur një faqe të re të sundimit të ligjit. Do i sjellim transparencë dhe besueshmëri publikut.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj – Hapëm rrugën për një model të ri ekonomik. Gjetëm një ekonomi të paralizuar për shkak të borxheve. Frenimi i rënies ekonomike ishte prioriteti ynë në muajt e parë. Raportet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se konsumatorëve u është rikthyer besimi. Fuqia blerëse është rritur, ashtu siç është rritur edhe tregtia me jashtë.
/ Top Channel