Gjermania kampion bote per azilante – nje shkrim nga Olsi Sherifi
Nga Olsi Sherifi
Sa shumë zhurmë që ka patur në lagjen e ”shisheve dhe tapave” (quhej kështu për shkak të shisheve dhe tapave të shumta që gjendeshin kudo) , në këtë lagje jehonte muzika rome sikur kishte një duel midis fqinjëve se muzika e kujt dëgjohej më shumë .
Këto skena ndodhin pasi kthehen nga tregu të lodhur dhe të raskapitur duke u munduar të gjejnë qetësinë nëpërmjet zhurmave të magnetofonit të tyre. Gjatë perëndimit të diellit , në rrugë sheh njerëzit që shëtisin sa andej-këtej për të harruar për një moment problemet që nuk u kanë të mbaruar. Gjallëria dukshëm është tipar i lagjeve të varfra, ndryshe nga lagjet e pasura, të mërzitshme deri në kockë ngaqë nuk pipëtin asgjë.
Nga Dhjetori 2010, shqiptarët fituan të drejtën për të lëvizur në zonën Schengen pa viza. Gjithmonë flitej që do të vinte një kohë e keqe e cila do të shuante çdo gjë pozitive që kishte lindur brenda këtij komuniteti .
Nisin kështu lëvizjet e para jashtë kufijve të Shqipërisë në drejtim të Francës dhe Gjermanisë, nuk bëhej fjalë për të vizituar të afërmit apo për ndonjë vizitë turistike, por për të kërkuar azil. Dita ditës, ky komunitet ishte drejt rënies nga gjendja ekonomike, edhe pse pothuajse çdo familje merrej me biznes ose punë informale sepse nuk i ofroheshin hapësira të tjera këtij komuniteti . Ata drejtoheshin nëpër institucione për të kërkuar ndihmë por askush nuk i zgjaste dorën për ti ndihmuar.
Në këto vite kur po luftohej kundra skamjes , një pjese e madhe e këtij komuniteti iu ndërpre ndihma ekonomike, një pjese te vogël që ishte e punësuar me pagë mujore e njëjta gjë edhe me këta , i kanë pushuar nga puna . Të gjithë ishin të shqetësuar se si mund të fitojnë para për të nxjerrë bukën e gojës , e vetmja mënyrë ishte mbledhja e mbetjeve të riciklueshme. Jetesa e tyre në lagjen e ” shisheve dhe tapave ” pothuajse ishte e pamundur, aty flitej vetëm Gjermani – Francë. Në qoftë se do të ishte ndonjë kalimtar i rastit do të mendonte se po flitej për kampionatin botëror, por jo! Ata po flasin se si të largohem nga Shqipëria për të kërkuar azil në Francë ose Gjermani. Një pjesë filloi të shesë orenditë e shtëpisë, pjesa tjetër merrte hua nga të afërmit e tyre.
Informacionet që merrnin nuk ishin dhe aq të sigurta , për ta gjëja e parë e rëndësishme ishte të gjenin paratë e më pas të largoheshin mes lotëve sepse jo të gjithë kishin mundësinë për tu larguar, dhe kjo mbase do të ishtë një lamtumirë dhe e vetmja mënyrë komunikimi ishte vetëm nëpërmjet skype, sepse nëpërmjet celularit ose telefonit nuk mund të flisnin sepse ishte goxha shtrenjtë për të komunikuar siç ishin mësuar njerëzit këtu në Shqipëri.
Mesa duket lagjeja ra në qetësi, mungon paksa ai ahengu rom, lëvizje të shumta nuk ka, vetëm dëgjon të qara që vijnë nga pallatet, nuk është se po qajnë fëmijët por të rriturit që po ndjejnë mungesën e të afërme të tyre sepse ishte një lamtumirë dhe jo një mirupafshim . Informacione tëreja vinin nga Franca, në lagje flitej se Franca nuk pranon më azilant nga Shqipëria, destinacioni i vetëm ishte Gjermania dhe kjo për ta cilësoheshe si shpetimi nga skamja dhe fillimi i një jete të re. Ata thonë se Shqipëria për ne ishte vetëm një ëndërr e keqe, zgjimi filloi tek mberritja në tokën Gjermane.
Nëse për Gjermaninë objektivi do të ishte që të shpallej kampion bote, për këtë komunitin rom objektivi i tyre ishte që nga një azilant të kalonin në shtetas Gjerman që të qëndronin larg paragjykimeve, larg skamjes duke bërë një jetë normale si shtetas Europian.