Ukraina: Jo karvanit me “ndihma humanitare” ruse
Kryqi i Kuq shpreh habi me veprimet e Rusisë. Perëndimi, i shqetësuar
Dje ka pasur një zhvillim të pritshëm dhe shumë të rëndësishëm në konfliktin mes Ukrainës dhe forcave separatiste proruse, pasi në mëngjes, nga Rusia, në drejtim të Ukrainës Lindore është nisur një autokolonë me 280 kamionë, që mbartnin me vete ushqime, ilaçe dhe ujë të pijshëm. Kievi zyrtar ka reaguar menjëherë, duke mos e lejuar karvanin me ndihma humanitare nga Rusia që të hyjë në vend. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Kiev tha dje, se ky vendim është marrë, për shkak se transporti i ndihmave humanitare nuk po bëhet, siç ishte rënë dakord nën udhëheqjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Presidenti rus, Vladimir Putin, i kishte premtuar dy ditë më parë, në një bisedë telefonike presidentit të Komisionit Europian, Joze Manuel Barroso, se misioni humanitar në Ukrainën Lindore do të koordinohej me Kryqin e Kuq. Por vetëKryqi i Kuq njoftoi se deri tani (e martë 12 gusht 2014), nuk kishte marrë ndonjë informacion në lidhje me përmbajtjen e ngarkesës, si dhe destinacionin e karvanit. Madje, përfaqësuesi i organizatës, Andre Loersch, në një intervistë për “Deutsche Welle”-n dje, theksoi, ndër të tjera, në lidhje me këtë çështje se: “Ne u befasuam shumë kur morëm lajmin që karvani i ndihmave do të organizohet dhe niset nga Rusia”, duke u shprehur i zhgënjyer nga gjithçka kishte ndodhur dhe kujtuar faktin se kishte marrë siguri nga pala ruse për njoftim dhe koordinim të të gjithë aktivitetit në fjalë. Ministria e Jashtme ruse rikonfirmoi dje nga Moska se karvani humanitar i nisur drejt Ukrainës Lindore nga Rusia, do e kalojë kufirin “vetëm nën vëzhgimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”. Por ushtria ukrainase thotë se ndihmat duhet të hiqen nga kamionët rusë dhe të transferohen në automjetet e Kryqit të Kuq, nëse do të lejohen për t’u futur në Ukrainë. Ndihmat humanitare në fakt u bënë të domosdoshme për popullsinë rusofone në rajonet lindore të Ukrainës, pas raportimeve ndërkombëtare se atje po vihen re dita-ditës emergjenca humanitare e mungesa të theksuara në ushqime e ujë të pijshëm. Si pasojë e kësaj, më shumë se dy herë separatistët madje kanë ofruar armëpushime, që janë refuzuar në më të shumtën e rasteve nga Kievi zyrtar. Si zyrtarët ukrainas, ashtu edhe ata perëndimorë, janë të shqetësuar, për faktin se mos Rusia po i përdor ndihmat humanitare, thjesht si pretekst për të dërguar trupa e armatime në Ukrainën Lindore për separatistët rebelë që po luftojnë përballë forcave qeveritare. Përveç deklarimeve të disa zyrtarëve perëndimorë, në një vizitë që bëri së fundmi më datë 7 gusht në Kiev, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi gjithashtu se nuk do të tolerohej një fenomen i tillë. Ndërkohë, aksionet e Rusisë kanë kohë që kanë zgjuar pasiguri te fqinjët e saj perëndimorë, republikat Baltike dhe Polonia, por edhe te Gjeorgjia, të cilët kanë kërkuar një koordinim e mbështetje më të madhe nga Aleanca Veriatlantike për të rritur kapacitet e tyre mbrojtëse.
Presidenti Putin viziton sot Krimenë
Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i shoqëruar nga Kryeministri Dmitri Medvedev, dhe udhëheqësi i Parlamentit rus, Sergei Naryshkin, do të udhëtojë gjatë kësaj jave në gadishullin e Krimesë. Zyra e shtypit e Presidentit rus ka njoftuar se Putin do të mbajë sot (13 gusht 2014) një takim me pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë në Sevastopol, kryeqytet i provincës tashmë të aneksuar ruse. Ndërkohë, një ditë më pas, ai do të diskutojë me ligjvënësit e Dumës dhe ministrat federalë çështje të rëndësishme të brendshme, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Krimenë, thuhej më tej në njoftim. Pas aneksimit rus të Krimesë, SHBA-ja dhe Bashkimi Europian vendosën një seri sanksionesh ndaj Rusisë në muajin mars, të cilat u zgjeruan më tej me masat e marra në korrik e gusht, për shkak të përkrahjes së vazhdueshme që Moska jep për rebelët prorusë që po luftojnë në Lindje të Ukrainës.
Marrë nga gazeta-shqip.com