Shqiperia, arsimin nder me te dobetit ne bote
Më shumë se gjysëm milioni nxënës të arsimit nëntëvjecar dhe atij të mesëm u ulën në bankat e shkollave anembanë vendit për të nisur vitin e ri shkollor.
Për pjesën dërrmuese të tyre, arsimi mund të jetë shpresa më e madhe që nesër të kenë një jetë më të mirë. Por, për fat të keq, në Shqipëri ajo shpresë zbehet nga vetë sistemi arsimor. Të dhënat e fundit zyrtare nga testet e Pizës tregojnë se, sot më shumë se gjysma e nxënësve shqiptar që ulen në bankat e shkollave, dalin prej tyre analfabetë funksionalë. Përkatësisht në vitin 2012, shifra ishte 52.3 për qind. Këta janë nxënës që dinë të lexojnë por që nuk arrijnë të kuptojnë dhe zbatojnë ato që kanë lexuar. Edhe pse në dekadën e fundit shifra është ulur me ritme jo të vogla, sërish ajo mbetet ndër më të lartat në botë. Në vendet e OECD, mesatarja e analfabetëve funksionalë është vetëm 14.2 për qind.
Por leximi nuk është fusha e vetme ku sistemi arsimor performon keq. Raporti më i fundit i Pizës provoi se nxënësit shqiptarë kanë rezultatet më të dobëta në botë edhe për matematikën dhe shkencat e tjera. Ekspertët listojnë një sërë shkaqesh se pse sistemi arsimor në shqipëri po dështon. Por më kryesori mbetet keqfinancimi.
Vitin e kaluar shpenzimet publike për arsimin ishin vetëm 3.1 për qind e Prodhimit Kombëtar duke qenë vendi i parafundit në rajon. Socialistët kanë premtuar t’i çojnë ato në 5 për qind, por edhe këtë vit shifra mbeti në nivelet e vitit të kaluar. Dhe kjo është një situatë që vazhdon prej më shumë se dy dekadash. Madje për ironi tragjike, Qeveria e fundit shqiptare që ka rekordin më të mirë në mbështetjen e arsimit ishte ajo komuniste, e cila në vitin 1989 shpenzonte 4 për qind të Prodhimit kombëtar për këtë sektor. Që pas atij viti, me gjithë premtimet e qeverive njëra pas tjetrës arsimi është lënë i keqfinancuar, dhe pasojat janë jo pak të dukshme.
/ Top Channel