Gjirokaster, 50 specialiste te rinj po restaurojne monumentet
Rreth 50 të rinj restauratorë nga Ballkani dhe vende të ndryshme të Europës po punojnë për mirëmbajtjen dhe restaurimin e komplekseve muzeale dhe banesave karakteristike në Gjirokastër. Kjo nismë realizohet në kuadër të Kampit Rajonal të Restaurimit, një bashkëpunim i organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”-CHWB dhe Ministrisë së Kulturës. “Pjesëmarrësit janë ndarë në 6 grupe, duke u përqendruar në punë me dru, me gur, me suvanë e jashtme dhe rilevime, në objekte të ndryshme të qytetit historik”, thotë Lejla Haxhic, drejtuese e CHWB. Në këtë drejtim po punohet për rilevimin e banesës Dalipi, një monument i kategorisë se dytë, që gjendet ne lagjen “Palorto”. E braktisur për shumë vite, në mungesë të mirëmbajtjes, banesa është aktualisht në gjendje shumë të keqe. Çatia, soletat, trarët e drunjtë dhe shumë elemente të tjera të rëndësishme mungojnë. Duke përdorur mjete e teknika të ndryshme rilevimi, pjesëmarrësit po krijojnë një dosje të plotë me të gjithë informacionin e nevojshëm për të vazhduar me një projekt të mundshëm restaurimi. Ndërkohë, puna e restauratorëve është përqendruar edhe në zbulimin dhe mirëmbajtjen e pikturave murale në njërën prej godinave të gurta të Pazarit karakteristik. “Dyqani i Qemo Lanit është pjesë e kompleksit të dendur të dyqaneve të Pazarit. Objekti në fjalë veçohet nga të tjerët pasi është i vetmi rast, ku pikturat murale në fasadë janë akoma të dukshme. Pjesëmarrësit po punojnë në këtë objekt duke restauruar suvanë dhe po studiojnë motivin e pikturës dhe ngjyrat e saj”, shprehen specialistët restauratorë. Një tjetër objekt i përfshirë në punën e restauratorëve të rinj është edhe kthimi në identitet i fasadës së një banese të gurtë ne lagjen “Palorto”. Banesa Kore është një monument i kategorisë së parë në një prej lagjeve më të vjetra e më të rëndësishme të qytetit. Të rinjtë po restaurojnë fasadën kryesore duke përdorur metodat tradicionale të ndërtimit. Jashtë vëmendjes së punës së restauratorëve të rinj nuk kanë ngelur as portat karakteristike. Në këtë drejtim po restaurohet porta e gurtë e banesës Naka, e ndërtuar në 1899. Pjesëmarrësit po restaurojnë çatinë e drunjtë të portës hyrëse kryesore. “Kjo portë është një prej të paktave dyer tradicionale të mbetura të tilla e pozicioni i veçantë i saj do i japë shumë vizibilitet punës që po kryhet në të”, thonë të rinjtë restauratorë për gazetën “Panorama”. Krahas punës konkrete në terren për restaurimin e shtëpive të gurta, të rinjtë pjesëmarrës në Kampin Rajonal të Restaurimit po lokalizojnë në hartë të gjitha monumentet, që tashmë përballen me probleme në Gjirokastër. Përveç dokumentimit të gjendjes së tyre me anë të mjeteve teknologjike, të rinjtë po analizojnë shkallën e dëmtimit dhe rrezikshmërinë që paraqet çdo objekt. Me anë të analizimit të çdo rasti, do të arrihet të realizohet një hartë e plotë e objekteve rrënoja në qytet. “Çdo objekt do të ketë një skedë individuale, ku përshkruhet situata e tij. Ky rilevim do të përmbyllet me realizimin e një dosjeje të plotë, ku përfshihen të gjitha të dhënat e nevojshme për t’u njohur me situatën e rrënojave në qytet”, thonë specialistët e rinj. Interpretimi i trashëgimisë kulturore që ka Gjirokastra, është një prej elementeve kryesore të punës së tyre. “Interpretimi është faktor kyç në suksesin e një projekti restaurimi, ndaj në fokusin e punës sonë është edhe interpretimi i trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës duke u dhënë përgjigje pyetjeve të ndryshme, si: pse konservojmë Gjirokastrën? Ç’domethënie kanë këto monumente për ne? Ç’histori mund të tregohen nëpërmjet këtij druri, kësaj suvaje, këtij guri?”, thonë specialistët e rinj
Marrë nga Panorama.al