Dosjet, ish-sigurimsave u nderpritet karriera
Herion Mesi
Diskutimi më i fundit për ligjin e hapjes së dosjeve të regjimit komunist bashkoi në një takim përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë, deputetë, studentë të lëvizjes së Dhjetorit ’90 dhe diplomatë të huaj të akredituar në vendin tonë. Takimi i djeshëm i parapriu nismës ligjore për hapjen e dosjeve dhe lustracionit që do të dorëzohet në ditët në vijim në Kuvend. Ky draft është i bazuar në modelin gjerman të hapjes së disjeve të ish-Stasit, që i është propozuar 6 vite më parë edhe qeverisë së mëparshme. Drejtuesja e Grupit për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, e pyetur dje nga gazeta “Shqip” theksoi se projektligji do të depozitohet në Kuvend pas përfundimit të diskutimeve politike për buxhetin e shtetit të parashikuar nga qeveria për vitin e ardhshëm. “Nuk e depozituam dje nismën në Kuvend, siç u lajmërua, pasi ne si grup nismëtar kemi bërë një marrëveshje që projektligji që është bazuar në modelin gjerman, do të depozitohet në Kuvend vetëm pas miratimit të buxhetit. Kjo për të mos sfumuar rëndësinë e një ligji të tillë”, – tha Ballauri.
Diskutimet
Në ceremoninë e prezantimit të kësaj nisme ligjore, ishte edhe ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffmann, i cili, si përfaqësues i një shteti që ka kaluar një proces të tillë, tha se hapja e dosjeve është një proces i vështirë, por i rëndësishëm dhe se nga përvoja gjermane ka rezultuar një proces i suksesshëm. “Si i huaj nuk mund të them bëni këtë apo atë, por mund të them që ne e kemi kaluar një përvojë të tillë. Po e ndjek me kujdes çfarë po ndodh dhe kam qenë në muzeun që u hap Bunk’Art. Ishte shumë interesante ajo që pashë dhe mendoj se është gjëja më e rëndësishme që këto vende të kthehen në muzeume për të kujtuar çfarë ka ndodhur. Isha në Tepelenë dhe pashë që edhe burgu atje mund të kthehet në muze”, u shpreh ambasadori Helmut Hoffmann. Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, u shpreh se “politika duhet të jetë koherente me të gjitha premtimet që ajo jep dhe se ka ardhur pikërisht momenti që historia duhet të shkruhet dhe të pranohet nga të gjithë. Ne kemi nevojë të shikojmë të shkuarën, ndaj mazhoranca duhet të japë votat e saj për këtë ligj”, u shpreh Doda. Po ashtu, edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i pranishëm në këtë takim, theksoi se dosjet duhen hapur për të parë atë mekanizëm të tmerrshëm të sigurimit të shtetit. “Duhet të hapim dosjet të shohim kush është kush, çfarë ka bërë, dhe të ndahemi nga e kaluara. Ligji për hapjen e dosjeve absolutisht duhet të shoqërohet me ligjin për lustracionin”, u shpreh Shpëtim Idrizi. Në këtë takim dhanë mendimet e tyre dhe përfaqësues të subjekteve politike FRD, Gazmend Oketa, dhe për të përndjekurit, Simon Miraka, ku i pranishëm ishte edhe ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i cili në vitin 2008, po në bashkëpunim me ambasadën gjermane në Tiranë, si dhe Grupin e të Drejtave të Njeriut hartuan një projektligj, i cili për mungesë të vullnetit politik, nuk u miratua në atë kohë.
Projektligji
Projektligji i hartuar nga Grupi për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me ish të përndjekurit, por dhe studentët e Dhjetorit, do të depozitohet në Kuvend nga kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe është i ndarë në dy pjesë, ku nga njëra anë trajton çështjen e lustracionit dhe, nga ana tjetër, atë të hapjes së dosjeve. Sa i përket lustracionit, hartuesit e projektligjit theksojnë se dosjet kanë një procedurë të caktuar që ato të bëhen të aksesueshme për çdo qytetar shqiptar, i cili kërkon të shohë vetëm dosjen e tij. Me një kërkesë të veçantë drejtuar autoriteteve, çdo njeri mund të kërkojë të shikojë vetëm dosjen e tij, nëse ai ka një të tillë, por nuk ka mundësi që të kërkojë hapjen e një dosje të një të afërmi të tij. “Kjo është një çështje e individit kundrejt kërkesës për autoritetin”- theksohet në projektligj. Sa u përket dosjeve të personave publikë, ato do të kenë një tjetër qasje në rast se miratohet ky projektligj. Sipas hartuesve të draftit, dosjet e këtyre personave do të hapen dhe bëhen publike edhe në rast se ata nuk duan që kjo të bëhet. Kjo për shkak se vetë ligji i dosjeve është një draft që i trajton çështjet nga ana morale për të gjithë të përfshirët në ish-Sigurimin e Shtetit. Dhe i vetmi ndëshkim që do të ndërmerret, ka të bëjë me ndërprerjen e karrierës të të gjithë atyre që kanë kontribuar në sigurimin e shtetit në kohën e diktaturës, të cilët vijojnë të jenë funksionarë të shtetit, qoftë dhe deputetë. Për këtë masë, hartuesit mësohet se do t’i propozojnë Kuvendit që për këtë kategori, karriera e tyre duhet të mbyllet në përfundim të mandatit të tyre institucional, ku këta persona propozohet që të mos kenë më të drejtë rikandidimi.
Për më shumë: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/27/dosjet-ish-sigurimsave-u-nderpritet-karriera/