Qeveria zhbllokon kreditë sociale për të pastrehët, përfitojnë 156 familje
Gazeta “Panorama” publikon ditën e sotme emrat e 156 qytetarëve, që do të lidhin kontratën me bankën, duke përfituar nga programi i kreditimit të lehtësuar. Pas rreth një viti pezullim, Enti Kombëtar i Banesave ka zhbllokuar procesin, duke mbështetur financiarisht 156 familje që përfitojnë nga skema e subvencionit të interesave të kredisë.
Në fillim të këtij viti ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, me anë të një urdhri bllokoi skemën e kreditimit me interes 3%, me argumentin se njësitë vendore kishin abuzuar, duke përfshirë në lista qytetarë që nuk plotësonin kushtet.
Mësohet se grupet e ngritura nga ministria e inspektuan përgjatë kësaj kohe rreth 4200 dosje për të parë nëse kishte apo jo parregullsi. Ato që janë gjetur të sakta dhe konform ligjit do të vijojnë me procedurat e mëtejshme, ndërsa ato që binin ndesh do të bllokohen dhe nuk do të lidhnin dot marrëveshjen me bankën.
Marrë nga respublica.al