DEKLARATË PUBLIKE E ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE
Tiranë, 25 maj 2026
Ne, organizatat nënshkruese të kësaj deklarate publike, dënojmë me vendosmëri publikimin, shpërndarjen dhe instrumentalizimin e imazhit të dy fëmijëve të mitur në rrjetet sociale nga Akil Pano, pastor dhe themelues i Koalicionit Pro Familjes dhe Jetës, si dhe Jonathan Pano, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Drejtor i Institutit për Liri dhe Trashëgimi.
Nëpërmjet publikimeve të tyre, Akil Pano dhe Jonathan Pano kanë zgjedhur të përdorin publikisht, pa pëlqimin e prindërve, imazhet e dy fëmijëve të mitur, duke i vendosur ata në qendër të një debati publik të ngarkuar me gjuhë diskriminuese, stigmatizuese dhe që nxit urrejtje ndaj familjes së tyre dhe komunitetit LGBTIQ+ në tërësi.
Shënjestrimi i dy fëmijëve pesëvjeçarë si objekt debati publik dhe si instrument për mobilizim politik, ideologjik apo fetar përbën një formë të papranueshme dhe të rrezikshme të abuzimit me të drejtat, dinjitetin dhe sigurinë e fëmijëve.
Prania e një fëmije në një hapësirë publike nuk i jep askujt të drejtën ta publikojë, ta shpërndajë apo ta përdorë imazhin e tij për qëllime politike, ideologjike, fetare apo propagandistike. Fëmijët kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën publike dhe të kenë lirinë e mendimit dhe të shprehjes për çështje që i prekin ata dhe familjet e tyre. Kjo e drejtë u përket vetë fëmijëve dhe ushtrohet nën kujdesin dhe përgjegjësinë e prindërve ose kujdestarëve ligjorë të tyre, jo nga individë të tretë që i përdorin ata për të ushqyer narrativa diskriminuese apo për të prodhuar panik moral në shoqëri.
Kjo është shkelje e hapur e të drejtave të fëmijëve!
Publikimi dhe shpërndarja e imazheve të identifikueshme të të miturve, pa pëlqimin e informuar të prindërve ose kujdestarëve ligjorë, përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtën e fëmijës për privatësi, dinjitet, siguri dhe mbrojtje të të dhënave personale.
Kjo sjellje bie ndesh me garancitë kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë nenet 35 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ligjin nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenin 8, si dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës, veçanërisht nenet 3 dhe 16.
Duke publikuar dhe shpërndarë fotografitë e këtyre fëmijëve në hapësira online të ngarkuara me gjuhë urrejtjeje, Akil Pano dhe Jonathan Pano nuk kanë cenuar vetëm të drejtën e fëmijëve për privatësi, por i kanë ekspozuar ata ndaj dëmit emocional, traumës psikologjike, bullizmit, stigmatizimit dhe rrezikut të përndjekjes publike afatgjatë. Në këtë mënyrë, fëmijët janë kthyer në shënjestër të një turme online të ushqyer me frikë, paragjykim dhe urrejtje.
Asnjë fëmijë nuk duhet të përdoret si armë politike apo propagandistike për të sulmuar një komunitet, një familje apo një grup shoqëror. Asnjë familje nuk duhet të kthehet në objekt linçimi publik për shkak të identitetit, orientimit seksual, përkatësisë prindërore apo strukturës së saj familjare.
Ndërhyrja në jetën private të familjeve, instrumentalizimi i marrëdhënieve të tyre dhe përdorimi i fëmijëve të tyre për përfitim politik, ideologjik apo publik është i papranueshëm, i dëmshëm dhe bie ndesh me parimin themelor të interesit më të lartë të fëmijës.
Hipokrizia e pretendimit për “mbrojtjen e familjes”:
Është thellësisht shqetësuese që individë që pretendojnë publikisht se mbrojnë familjen dhe fëmijët, në të njëjtën kohë, përdorin imazhin e fëmijëve të të tjerëve për të nxitur përçarje, stigmatizim dhe diskriminim të tyre.
Mbrojtja e fëmijëve nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të kërkosh privatësi, dinjitet dhe siguri për fëmijët e tu, ndërkohë që përdor fëmijët e të tjerëve si mjete për të sulmuar familjet e tyre dhe për të nxitur urrejtje ndaj një komuniteti të tërë.
Kjo nuk është mbrojtje e të gjithë fëmijëve. Ky është instrumentalizim i tyre.
Thirrje për veprim institucional:
U bëjmë thirrje të menjëhershme dhe të vendosur:
- Policisë së Shtetit;
- Organeve të Prokurorisë;
- Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi;
- Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës;
- Bashkisë së Tiranës;
- Të gjitha autoriteteve të tjera përgjegjëse,
ta trajtojnë këtë rast me seriozitetin që kërkon mbrojtja e fëmijëve nga ekspozimi publik, gjuha e urrejtjes, diskriminimi dhe abuzimi online.
Institucionet duhet të vlerësojnë menjëherë cenimin e të drejtave të fëmijëve, përdorimin e paautorizuar të imazhit të tyre, elementët e mundshëm të diskriminimit për shkak të përkatësisë prindërore dhe orientimit seksual të prindërve, si dhe përgjegjësinë e personave publikë që kanë kontribuar në përhapjen e kësaj përmbajtjeje.
Fëmijët meritojnë mbrojtje, dinjitet, siguri dhe privatësi. Ata nuk duhet të përdoren si objekt sulmi në luftëra ideologjike, politike apo fetare.
Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me fëmijët dhe familjen e tyre dhe bëjmë thirrje që çdo institucion, media, person publik dhe qytetar të respektojë privatësinë, dinjitetin dhe interesin më të lartë të fëmijës.
Organizatat nënshkruese:
Gender Alliance for Development Center (GADC)
Qendra për Advokim Social
Qendra për Drejtësi Gjinore
AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Qendra Vatra
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Albania)
Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës së Fëmijëve në Shqipëri (ALO 116-111)
Ambasada PINK Shqipëri
Koalicioni për Arsimin në Shqipëri.
Open Mind Spectrum Albania (OMSA)
Streha LGBT
Fondacioni Së Bashku
Të Ndryshëm & Të Barabartë
Qendra Rinore H.A.N.A.
Qendra Shqiptare për Impakt Social – QSHIS
Grupi Shqiptar i te Drejtave te Njeriut (GSHDNJ)
Shërbimi ligjor falas Tiranë
Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri
Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT
Center Science and Innovation for Development – SCiDEV
Albanian Woman in Audiovisual
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Instituti per Kontraten Shoqerore
Nisma ARSIS
Partners Albania
Shoqatës së Personave të Prekur me Virusin HIV/AIDS
Shoqata “Në Dobi Të Gruas Shqiptare”
YWCA of Albania







