Godelli del pozitiv në antidoping
Pas Romela Begajt edhe kampioni i botës Daniel Godelli ka rezultuar pozitiv në testin A antidoping. Peshëngritësi shqiptar që fitoi medaljen e artë në dygarësh gjatë kampionatit botëror që u zhvillua në Kazakistan dyshohet se ka përdorur substance të ndaluara.
Pozitiv ka dalë edhe peshëngritësi tjetër Hysen Pulaku, medalist në kampionatin Europian të të rinjve. Nëse dhe testi B antidoping do t’i nxjerrë peshëngritësist shqiptarë pozitiv atëherë Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon përjashtimin nga aktivitetet ndërkombëtare.
Kjo nuk është hera e parë që peshëngritësit shqiptarë rezultojnë pozitiv ne testet antidoping. Kujtojmë rastet e Arbër Cerçizit, Fetije Kasës dhe Erkand Qerimajt që rezultoi të kishin përdorur substanca të ndaluara gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare. Shpalljen e Godellit dhe Romela Begajt si kampionë të Botës, kryeministri dhe ministrja Nikolla e quajtën rilindje të sportit, por tashmë ky etiketim ka rënë bashkë me lavdinë e “kampionëve” të peshëngritjes.
Për të treguar se qeveria e ka marrë seriozisht vlerësimin për sportistët, kampionët Godelli e Begaj u përzgjodhën për të ngritur flamurin në Vlorë në ceremoninë zyrtare për festimet e 102 vjetorit të Pavarësisë.
Marrë nga ResPublica.al