Xheni, një tango për dashurinë… (FOTO)
Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT sfidoi sot paragjykimet e shoqërisë shqiptare duke kërcyer së bashku me një vajzë balerinë, nën ritmet e hitit të viteve 70-të të Nexhmije Pagarushës, “E dehur Jam”, në spektaklin “Dance with me” në televizionin Klan.
“Ishte e magjishme”, komentoi Valbona Selimllari, “ishte shumë e bukur dhe unë jam dakort se dashuria është hyjnore dhe i takon kujtdo”.
“Xheni sot zgjodhi të flasë më pak e të vallëzojë më shumë”, tha prezantuesja Alketa Vejsiu, e cila gjatë dy ditëve të fundit është përballur me një lumë ofendimesh dhe urrejtje në faqen e saj në Facebook sapo njoftoi pjesëmarrjen e Xhenit në këtë spektakël.
Por një prej pjesëtarëve të jurisë të këtij spektakli, Robert Aliaj, shpeshherë i paragjykuar në rrjetet sociale por edhe në debate mediatike si një “gej i fshehur dhe i kompleksuar”, pasi përshëndeti cilësinë e vallzimit tha se ishte kundër “promovimit të prirjeve seksuale”.
Por kjo solli reagimin e menjëhershëm të Xhenit. Ajo tha: “Unë nuk erdha për promovim të asgjëje, erdha për të dhënë një mesazh pozitiv, këto polemika i bëjmë në debate politike, dashuria mes gjinisë është si vallëzimi, është simbiozë mes dy njerëzve që dashurohen”.
Tango e Xhenit ishte një prej performancave më të bukura të këtij spektakli por edhe një nga rastet që duhet të hyjë në historinë e televizionit shqiptar.
Mësohet se në momentin e fundit disa pjesë nga ky kërcim janë hequr, megjithatë kjo natë në Dance With Me ishte mirëfilli thyerje e tabuve.