Një ngjarje si në përralla: Një Robin Hood modern, apo mashtrim?
Një histori frymëzuese por edhe e çuditshme është botuar sot nga gazetat britanike, një histori që po të jetë e vërtetë ngjan me një përrallë, ndërsa nëse nuk është e vërtetë, ka të bëjë me një inskenim të përsosur për të fituar para!
“The Mirror” shkruan se një i pastrehë i ka ofruar 3 paund, të vetmet të holla që kishte në xhep, një studenteje që kishte humbur kartën e saj bankare, në mënyrë që ajo të mund të merrte një taksi.
Në mes të natës, vajza me emrin Dominique Harrison-Bentzen, 22 vjeç, kishte mbetur pa lek në xhep dhe kishte humbur edhe kartën bankare. Por u befasua kur një i pastrehë iu afrua dhe këmbënguli që të merrte ato 3 paund.
Vajza nuk i mori, por të nesërmen, e prekur tejmase nga ky gjest bëri vetëm një status në Facebook dhe kuptoi nga reagimet, se në fakt, djali i pastrehë në Preston, me emrin Robbie, kishte ndihmuar shumë njerëz të tjerë. Dikujt i kishte dhënë shallin për t’u mbrojtur nga i ftohti, dikë tjetër e kishte ndjekur për t’i dhënë portofolin që i kishte rënë nga xhepi, e shumë raste të ngjashme.
Dominique vendosi pas kësaj që të kalonte 24 orë me të jashtë, në rrugë për t’i ftuar gjithë njerëzit që të ofrojnë ndihmë në mënyrë që Robbie të grumbullojë mjaftueshëm lekë sa për të gjetur një shtëpi me qëra.
Dominique thotë: “Ai është jashtë që prej 7 muajsh dhe nuk gjen dot punë pasi nuk ka një adresë”. Ky është një rreth i tmerrshëm vicioz: si mund të gjesh punë kur nuk ke një adresë, por si të gjesh shtëpi kur nuk ke një punë?!
“M’u deshën katër ditë duke e kërkuar me makinë nëpër qytet, kohë gjatë së cilës i humba shpresat”, shpjegon studentja. Por me ndihmën e së ëmës që ngiste makinën, arriti ta gjejë Robbie-n dhe nisi në Facebook një fushatë për ngritje fondesh, 12,500 paund të paktën.
Por ashtu siç mund të kuptohet kjo histori ka prekur dhe frymëzuar shumë njerëz aq sa “The Mirror” raporton se kjo shumë është tejkaluar tashmë.
Gazeta në fjalë vendoste dhe një link ku ftoheshin lexuesit të shikonin se deri në çfarë shifre kishin arritur donacionet. “Historia Ime” klikoi disa herë por faqja të njofton se po “përjeton një fluks të madh vizitash”, e për pasojë nuk hapej… Të jetë e vërtetë?
Shkrimi i The Mirror