“Hetim parlamentar për shkeljen e të drejtave të njeriut në operacionet për energjinë”
Deputetja Mesila Doda përmes një komenti në Facebook apelon që ti jepet fund trajtimit të qytetarëve si kriminelë, duke vënë theksin në respektimin e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht të drejtës për të jetuar.
“Qytetari Qamil Zela, 52vjec nga Lushnja, i ka dhënë fund jetës në qelitë e paraburgimit, pasi është arrestuar disa javë më parë për mospagim energjie.
Pa dyshim, mendimi i parë është për familjarët dhe të afërmit, dhe lutem që të gjejnë ngushëllim dhe forcë për të kaluar këtë ngjarje tejet të rëndë.
Saga e arrestimeve për energjinë, ka patur shumë viktima. Në thelb nuk është cështja e respektimit të ligjit sic shpesh dëgjojmë të thuhet, por e respektimit të të drejtave njerzëore.
Një njeri, vepra penale e të cilit, deri para pak ditësh ishte thjesht shkelje administrative dhe trajtohej si e tillë, brenda pak ditësh gjendet në zgrip të jetës dhe vendos ti japë fund, tamam në ambjentet e vuajtjes së denimit, ku shteti vecanërisht e ka detyrim ruajtjen e jetës së shtetasve.
Është emergjente ngritja e një komisioni hetimor për të vlerësuar gjithë standartet e respektimit të drejtave të njeriut në të gjitha rastet e sjella nga media dhe qytetarët, gjatë fushates lincuese të muajve të fundit.
Është rasti për ti dhënë fund trajtimit të qytetareve si kriminele që edhe mund të humbin jetën, madje edhe në qelitë e shtetit.
Respektimi i të drejtave të njeriut, vecanërisht i të drejtës për të jetuar, për të qenë i sigurtë dhe respektimi i dinjitetit të tij nuk janë vlera anësore por thelb i sistemit demokratik.
Kur vlera të tjera i mbivendosen të drejtes së jetës, ky është treguesi i parë i nënshtrimit të sistemit demokratik ndaj atij autokratik”, shkruan Doda ne rrjetin social facebook