“Burrat rrihnin gratë e tyre dhe ofronin flori që të hipnin në helikopter para fëmijëve”
Nëse “Norman Atlantic” i ngjante Titanikut për nga ferri që përjetuan udhëtarët në të, në shekullin e 21 duket se ajo që ka humbur është humanizmi. Ose jeta është bërë më e çmuar. Sidomos për burrat. Historia e “Norman Atlantic”, e cila u end mes flakëve për 33 orë në një det me stuhi nxorri në dritë një anë tjetër. Atë të të mos respektuarit më nëse në fatkeqësi ka fëmijë, gra dhe të moshuar.
Gazeta TemA ka botuar sot dy rrëfime që tregojnë se burrat në anije, në “luftë për mbijetesë”, kanë tentuar në të gjitha mënyrat që të hipnin ata të parët në helikopter, para fëmijëve dhe para grave.
Christian Ëiersdorf, një nga ushtarakët e aeoronautikës italiane ka rrëfyer se është habitur nga paniku i burrave, të cilët do jepnin gjithçka për të ikur të parët nga trageti në flakë. Madje edhe para fëmijëve. “Më kanë bërë përshtypje shumë burrat që donin të hipnin me çdo kusht të parët në helikopter. Më ofruan gjithçka deri tek floriri. Por sigurisht prioriteti ynë ishin gratë, fëmijët dhe personat që ishin më keq”, ka pohuar ai për Tgcom24.
Makthin për të shkelur të gjallë në tokë, e përjetoi mes 411 pasagjerëve edhe sopranoja greke, Dimitra Theodossiou. Ajo është shprehur për medien italiane “Repubblica” se në atë anije ka parë disa skena të tmerrshme. “Kam parë burra që rrihnin dhe tërhiqnin ata që qëndronin përpara tyre vetëm për të shpëtuar, por edhe skena të ndryshme solidariteti, duke u dhënë dorën njëri-tjetrit dhe duke i dhënë kurajo. Ishte shumë ftohtë, një i ftohtë i paparë” ka rrëfyer sopranojë, ndërsa më tej ajo shton “edhe mua më rrahën por munda të reagoj për të arritur tek helikopteri pasi pata një inat të madh, kam menduar ose tani ose kurrë. Ishte e tmerrshme nuk do ta harroj kurrë”.