Shokuese! Varfëria dhe i ftohti vrasin vajzën 7 vjeçare që jetonte në kontenier
Një muaj më parë familja Jahaj në Mal Bardhë të Kurbinit bëri apel për ndihmë në Ora News.
Vajza e tyre 7 vjeçare nuk mundi të mbijetojë këtë dimër në kontenierin e braktisur që ata kanë përshtatur si shtëpi.
Varfëria dhe kushtet e vështira kanë bërë që vajza të marrë ftohje të shkallës së lartë duke mos mundur të shpëtojë. Babai i vajzës tregon se ka dyshimin që vajza nuk ka marrë mjekimin e duhur në Spitalin e Laçit. Ai i është drejtuar prokurorisë për të nisur hetimet.
“I hipi temperatura, si tip gripi. Me 25, ditën e dielë e dërguam në Spitalin e Laçit. Atje unë e çova bashkë me gruan dhe kunatën për ta shëruar. Ata i vunë serum. Pasi i vunë serum nuk pati përmirësim, e kanë mbajtur 4-5 orë. Kur u bë tepër e sëmurë, me ilaçe jo të rregullta, e nisën për Lezhë. I kam bërë apel Prokurorisë, është në ndjekje e sipër. Dje e kam mbyllur hesapin e fundit. Do ta ndjekin penalisht”
Sadiku thotë se i ka kërkuar disa herë pushtetit vendor dhe qëndror që t’i gjendet një strehim, duke e paralajmëruar në këtë mënyrë edhe tragjedinë, por askush nuk ka marrë asnjë masë.
“Ku është rritur ajo vajzë dhe ku ka marrë plavitjen. Asnjë lloj ndihme nuk më ka dhënë askush. Kam kërkuar boll. I kam bërë apel ministrit, Erion Veliaj, por nuk më ka dhënë ndihmën e duhur”.
3 pjestarët e familjes jetojnë sërish në një banesë të shkatërruar, ndërsa edhe pas vdekjes së vajzës askush nuk iu ka ardhur në ndihmë për t’iu gjetur një strehim.