“Lamtumirë” Cirkut të Tiranës
Ndonëse shkëlqimi i Cirkut Kombëtar ka vite që ka rënë, së shpejti ai nuk do të ekzistojë më fare. Sipas një vendimi të gjykatës së Tiranës, deputeti i PD është pronar i truallit ku gjendet çadra e cirkut. Ky truall do t’ju kthehet pronarëve, ndaj dhe përmbarimi pritet ta zhvendosë atë.
Sipas shqiptarja.com, “Pasi ‘përlau’ me një skemë të dyshimtë maternitetin e vjetër të Beratit, mbi të cilin ngriti universitetin “Albanian University”, deputeti i PD Astrit Veliaj, njëherësh dhe presidenti i “Albanian University”, tashmë do të gllabërojë dhe sipërfaqen tokësore ku ndodhet çadra e Cirkut Kombëtar.
Ndërkohë ka reaguar edhe Sindikata e Artistëve, e cila i kërkon Ministrisë së Kulturës të pengojë ekzekutimin e këtij vendimi dhe të mos lejohet as sot dhe as ne ditet ne vijim.
“Ky është problem madhor për ne. Këtu është vendi i punës së artistëve. Duke e spostuar këtë çadër, duke ndërhyrë pronari, kuptohet që rrezikohet vendi i punës së artistëve”, thotë Reshat Ibrahimi, kryetar i Sindikatës së Artistëve.
Drejtues të Cirkut Kombëtar dhe të Sindikatës i kërkojnë Qeverisë që pronari që ka blerë truallin të kompensohet diku tjetër dhe Cirku i Tiranës të vijojë aktivitetin në çadrën ku është zhvilluar prej vitesh.
/TopChannel