Çmimi i energjisë elektrike do të rritet çdo vit deri në 2019-ën
Qeveria është zotuar para FMN-së se do të rrisë sërish taksat, nëse nuk do të arrijë arrijë treguesit e përcaktuar në sektorin e energjisë. Kjo do të thotë se rritja e çmimit të energjisë do të vijojë për çdo vit në mënyrë graduale, derisa çmimi të vijë në raport të drejtë me kostot.
Në dokumentin e sapo publikuar, shkruhet se autoritetet kanë rënë dakord me Fondin që të garantojnë arritjen e objektivave fiskale dhe se çdo dobësim në reformën e sektorit elektrik, do të kompensohet me masa fiskale shtesë.
Me rritjen e parë që hyri në fuqi në fillim të 2015-ës, çmimi i energjisë për familjarët u njëhsua në 9.5 lekë, ndërsa tarifat e biznesit u rritën nga 10 deri në 39 % në varësi të kategorive të tyre. Rritja e tarifave të energjisë në fillim të këtij viti duket se ishte vetëm hapi i parë për barazimin e kostove me çmimet finale që paguajnë konsumatorët. Sipas FMN-së barazimi i menjehërshëm i kostove do të kërkonte rritje të fortë të çmimit.
Duket se kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim. Sipas FMN-së rritja e tarifave përtej 2015 do të shoqërohet me rritjen e transfertave për të mbrojtur familjet e varfëra, një skemë e cila u përdor edhe për këtë vit.
/TopChannel