Skandali i filmit me skena dhune dhe seksi në Sarandë – reagon regjizori Leonard Bombaj
Vetëm dy ditë më parë u përhap në media skandali i filmit erotik dhe nxënësve të Sarandës. Bëhet fjalë për dy shkolla 9-vjeçare në Sarandë, “9 tetori” dhe “Adem Sheme”, të cilat në kuadër të orëve mësimore, organizuan nxënësit për të parë premierën e filmit “Pijanecë të ajrit t’egër”.
Filmi me regji nga Leonard Bombaj, u cilësua i papërshtatshëm për fëmijët që e panë, bëhet fjalë për nxënës të moshave 12 – 15 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga disa prindër të nxënësve të dy shkollave, të cilët kishin marrë pakënaqësi nga fëmijët e tyre.
Filmi përmbante skena të shumta seksi e dhune dhe shumë prej nxënësve ishin ndjerë në siklet nga pamjet. “Pijanecë të ajrit t’egër” me premierë në kinoteatrin “Butrinti”, ka shkaktuar mjaft tension nga ana e prindërve të fëmijëve. Sipas tyre filmi përmban shumë skena nudizmi e deri erotike dhe është i papërshtatshëm për këtë moshë.
Sipas fëmijëve të pranishëm në kinema, filmi kishte skena seksuale, skena përdhunimi e madje flitej edhe për ilaçe që shërbejnë si stimulantë seksual. “Panorama” shkruan se sipas njërit prej fëmijëve, – “Nuk ishte film i bukur, pasi kishte skena dhe fjalë banale, të padëgjuara më parë nga ne. Kujtuam se do ishte film edukativ. Mësuesja nuk na e tha tematikën kur na shpërndau biletat”.
Ndërkohë sipas drejtorive të dy shkollave, u tha se aktiviteti u bë me rekomandim të Ministrisë së Arsimit si pjesë e orëve mësimore. Lajmi u përgënjeshtrua menjëherë nga ana e MAS duke thënë se nuk ka asnjë udhëzim zyrtar me shkrim nga ana e tyre për këtë aktivitet.
Nga ana tjetër regjizori i filmit thotë se ky është një film i përshtatshëm për fëmijët që nga mosha 11 vjeç. Për këtë arsye, Leonard Bombaj ka deklaruar se ditën e nesërme, në 20 mars, grupi i aktorëve të filmit do të dalin në një Konferencë për shtyp.
Në njoftimin për median ai shkruan: “SKANDAL APO TRILLIM? Historia e disa Adoleshenteve artiste qe pasi luajten nje film, befas u zgjuan te akuzuar “Pornostar”. Nje Film i klasifikuar Skandaloz me skena te forta seksi. 50 Hijet e Filmit? apo 50 Hijet Gri te Trilluar? KONFERENCE PER SHTYP (stafi,Aktoret) perballe Medias”.
Ky nuk është rasti i parë problematik i regjizorit në lidhje me fëmijët. Edhe më herët Leonard Bombaj është akuzuar për pedofili. Në periudhen gusht-shtator 2011 regjisori Leonard Bombaj u akuzua se kishte përdhunuar një vajze 15-vjecare, pjesë e akademisë së Kripmjaltëzave, por akuza u hodh poshtë dhe Gjykata e shpalli Bombajn të pafajshëm.
Traileri i filmit: