Një makth Afgan: E detyruar të martohet me përdhunuesin e saj
Kabul, Afghanistan (CNN) Është një rezultat shumë i shëmtuar.
Të përdhunohesh nga kushëriri i burrit tuaj; të burgosesh për tradhëti bashkëshortore pasi sulmuesi yt ishte i martuar; të vuash poshtërimin e zemërimit global për burgosjen dhe sulmimin tënd, por të falesh me dekret presidencial; dhe pastaj të durosh turpin dhe refuzimin nga një shoqëri konservatore që të bëri fajtore.
Zgjidhja që gjen kjo shoqëri? Të martohesh me përdhunuesin tënd.
Kjo ka ndodhur me Gulnaz, e cila ishte gati 16 kur u përdhunua. Ajo është shtatzënë me fëmijën e tretë të përdhunuesit të saj, Asadullah, i cili u dënua dhe burgos- edhe pse dënimi u reduktua më pas.
Gjendja e Gulnaz – si e zënë në kurth në Afganistan – u zhduk nga vështrimi i botës kur u fal dhe u lirua nga një falje presidenciale. Në vend të një fillimi të ri, ajo që pasoi për Gulnaz ishte një zgjidhje qetë afgane e “problemit” – një shenjë që tregon se ku qëndrojnë të drejtat e grave në Afganistan, pavarësisht miliarda dollarëve që janë derdhur në këtë vend nga qeveria amerikane dhe aleatët e saj të NATO-s gjatë më shumë se një dekade lufte.
“E shpëtuar” nga turpi
Ne e gjetëm Gulnaz në shtëpinë e burrit të saj. Buzëqeshja, emri i vajzës së lindur nga përdhunimi, është tashmë një vajzë e vogël, që kërcen rreth shtëpisë që nëna e saj ndan me gruan e parë të Asadullah- i cili është edhe kushëri me Gulnaz.
Asadullah na lejoi të flasim me të dhe me Gulnaz sepse, me sa duket, ai donte të na tregojë se gjërat janë zgjidhur tashmë, se nën versionin e moralit shoqëror të Afganistanit ai kishte bërë gjënë e duhur. Ai e kishte shpëtuar Gulnazin nga turpi.
“Nëse unë nuk do të isha martuar me të, (por) sipas traditave tona, ajo nuk mund të kthehej të jetonte përsëri në shoqëri”, tregon ai. “Vëllezërit e saj nuk donin ta pranonin. Tani, ajo nuk ka asnjë nga këto probleme.”
Gulnaz mbetet e përulur përgjatë gjithë takimit tonë dhe nuk shikon asnjëherë burrin e saj në sy. “Unë nuk doja të shkatërroja jetën e vajzës sime apo mos ti jepja një mundësi vetes, kështu që unë rashë dakord që të martohesha me të,” thotë ajo. “Ne jemi njerëz tradicionalë. Kur ne marrim një nam të keq, ne preferojmë vdekjen se sa të jetojmë me këtë nam në shoqëri.”
Ndërsa Buzeqeshja përpiqet të na hedhë çajin, shtatë fëmijët e tjerë në këtë familje vrapuan drejt oborrit. Gruaja e parë nuk duket fare në shtëpi. Një portret i çlirimtarit të Gulnaz në vitin 2011, presidenti i atëhershëm Hamid Karzai, varet në mur. Por ndjenja e rregullit këtu dobësohet nga fakti se kjo është një shtëpi e ndërtuar rreth një krimi.
Presioni për t’u martuar
Se si Gulnaz përfundoi këtu, kërkon disa shpjegime. Kishte presion mbi të që të martohej me përdhunuesin e saj pas lirimit të saj nga burgu. Por në të njëjtën kohë, aktivistë të tjerë po përpiqeshin që ta ndihmonin duke kërkuar azil jashtë vendit.
“Për fat të keq, Gulnaz ishte nën presion të rëndë për t’u martuar me përdhunuesin e saj nga njerëz të ndryshëm brenda qeverisë që, në vetvete, ishte jashtëzakonisht zhgënjyese”, na thotë ish-avokatja e saj, një shtetase amerikane e quajtur Kimberley Motley.
“Gulnazit i është thënë vazhdimisht se as ajo dhe as vajza e saj nuk do të mbrohen nëse ajo nuk i dorëzohej presionit të tyre që të martohej … Gulnaz në thelb u bë një e burgosur e mjedisit të saj.
“Si një nënë e vetme, e re, e paarsimuar, dhe pa përkrahjen e familjes, do të kishte qenë një betejë e vështirë për Gulnaz dhe vajzën e saj.”
Presioni vendor fitoi. Ajo u prezantua me përdhunuesin e saj në strehën ku CNN e intervistoi për herë të parë pas lirimit nga burgu. Ata biseduan dhe u ra dakord se ajo do të martohej me të.
Më shqetësuesja, gruaja që – edhe pse e dinte stigmën që do të krijohej rreth saj – kur kemi folur gati katër vjet më parë këmbëngulte se ishte përdhunuar, tani thotë se i kishin thënë të afërmit e saj që të bënte akuzat.
“Tani ajo është pranë meje dhe e di se nuk ishte ndonjë gjë aq e madhe sa ç`i kishin treguar ata,” thotë Asadullah.
“Jo, unë nuk mendoj më për këtë,” shton Gulnaz. “Unë nuk kam probleme me të tani dhe nuk dua të mendoj për problemet e kaluara. Jeta ime është OK … unë jam e kënaqur me jetën time … Vazhdon ajo.”
Më pas asaj i lejohet të flasë vetëm me ne. Asadullah largohet por qëndron afër derës së dhomës. Edhe pse ajo tani mban qëndrimin se nuk është përdhunuar, ajo shpjegon vendimin e saj. Ajo kundërshton burrin e saj, duke thënë se vëllezërit e saj do ta kishin pranuar, sikur ajo të mos martohej me të.
“Vëllezërit e mi e kundërshtuan martesën dhe më thanë që të merrja vajzën dhe të shkoja në Pakistan për të jetuar me ta,” thotë ajo. “Por tani ne jemi të martuar, ata më mohuan mua dhe nuk do të më shohin më”.
Vendimi i saj ishte për vajzën e saj.
“Jo, unë nuk mund të plotësoja dëshirat e jetës time. U martova me këtë njeri;. I preva marrëdhëniet me familjen time vetëm për të blerë të ardhmen e vajzës sime.”
Është me të vërtetë drithëruese kur sheh se si kanë rrjedhur gjërat për Gulnaz pas nivelit ndërkombëtar të vëmendjes që tërhoqi historia e saj- shtatzënë me fëmijën e tretë të njeriut që ishte dikur përdhunuesi i saj, pranimi i një jetë si gruaja e tij e dytë, e zënë në grackë në shtëpinë e tij.
Marrë nga: edition.cnn.com