Ben Blushi viziton “Lagjen e Trimave” në Kumanovë
Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi ndodhet në Kumanovë, ku është takuar me banorët shqiptarë të “Lagjes së Trimave”.
Blushi është shprehur se ndodhet aty për të parë se çfarë po ndodh me civilët e pafajshëm.
“Ajo që ndodhi në Kumanovë është e frikshme. Maqedonia sot ka një problem delikat me demokracinë e vet. Nuk është një shtet demokratik, por autokratike. Rasti i Kumanovës dëshmoi se shqiptarët kanë një krizë përfaqësimi në raport me qeverinë që e drejtojnë por dhe tek partitë shqiptare. Ne s’mund tu themi se kujt duhet ti besojnë por si shteti dhe si parlament duhet të mbështesim demokratët mes shqiptarëve të Maqedonisë. Duhet të mbështesim demokratët ndër shqiptarët e Maqedonisë”, tha Blushi.
Kjo lagje u bë pjesë e luftimeve të ashpra në datat 9 dhe 10 maj mes një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase nga ku pati disa të vrarë dhe të plagosur.