Poshtë pantallonat, poshtë!
Në rolet tona të parapërcaktuara shoqërore mbizotëron një robëri për të cilën rrallë herë bisedojmë. Po, është fjala për sundimin e pantallonave si e vetmja veshje e poshtme e pranueshme për gjininë mashkullore.
Duke mos e mohuar që në shumë situata pantallonat janë më të përshtatshme, sidomos gjatë kalërimit, në të shumtën e rasteve bien ndesh me idenë e rahatisë. Nëse e kemi parasysh konstruktin anatomik të gjenitaleve mashkullore si shtojca në mes të dy këmbëve (dizajn i menduar jo aq mirë nga natyra) problemi i pantallonave bëhet edhe më evident.
Pikërisht për këtë arsye duhet të përballemi çdo ditë me skena të burrave duke gërmuar pjesën e përparme të pantallonave për ta gjetur “pozitën e rehatshme”. Ata që mendojnë se nuk vërehen kur këto gërmime i bëjnë duke e futur dorën në xhep paraqesin pamjen më dëshpëruese të gjithë kësaj situate.
Përgjatë historisë, veshjet mashkullore kishin larmi të gjerë në formë e ngjyrë. Në fakt, edhe orientimi seksual nuk përbënte ndonjë problem aq të madh. Është modernizimi i shekujve të fundit ai që përcaktoi pamjen e burrit modern, qytetërimit të treguar me vijën pantallonore të hekurosur përgjatë këmbëve.
Ka ardhur koha që t’i kthejmë alternativat e veshjeve që shquhen për veçoritë praktike e jo të robërohemi në normat shoqërore të seriozitetit mashkullor. Le të çohemi të gjithë për flladin e fustanellave e për lirinë e dimive! Poshtë Pantallonat! Poshtë!/A.A.